Himarë / Finalizohet operacioni policor i koduar “Shuma”.
Hynë në banesën e një të moshuari, e mbajtën me dhunë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri (pistoletë çakmak), me qëllim vjedhjen e një shume parash. Identifikohen, kapen dhe arrestohen 3 autorët e dyshuar.
Njëri prej të arrestuarve ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për krime në fushën e narkotikëve.
Autorët kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të kryer krimin.
Sekuestrohet automjeti tip “Mercedes-Benz”.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimit të një 70-vjeçari, se më datë 12.07.2026, në fshatin Borsh, 3 shtetas kishin hyrë në banesën e tij, e kishin mbajtur me dhunë dhe e kishin kanosur me një imitues arme zjarri, me qëllim vjedhjen e një shume parash, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin policor të koduar “Shuma”.
Në kuadër të operacionit u identifikuan, u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit:
E. Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë;
K. T., 23 vjeç, banues në Vlorë;
A. C., 19 vjeç, banues në Vlorë.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.
Nga hetimet rezultoi se 3 shtetasit kishin mbajtur banesën e 70-vjeçarit në vëzhgim për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer krimin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
