Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar me tone kritike ndaj çmimeve të larta të biletave për 2026 FIFA World Cup, duke thënë se edhe vetë ai nuk do të paguante 1 mijë dollarë për të ndjekur nga stadiumi debutimin e kombëtares amerikane ndaj Paraguait.
“Nuk e dija që çmimi kishte shkuar deri aty. Natyrisht që do të doja të isha i pranishëm, por të jem i sinqertë, as unë nuk do ta paguaja atë shumë”, deklaroi Trump gjatë një interviste telefonike për New York Post.
SHBA-ja do ta nisë rrugëtimin në Botëror më 12 qershor në stadiumin SoFi Stadium në Los Angeles, ku do të përballet me Paraguajin. Sipas raportimeve, biletat për këtë sfidë nisin nga afro 1.000 dollarë.
Trump tha se ende nuk ishte informuar në detaje për çmimet, por paralajmëroi se çështja duhet parë me kujdes. Ai u shpreh i shqetësuar që shumë amerikanë të klasës punëtore, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mbështetësve të tij, mund të mbeten jashtë atmosferës së Kupës së Botës për shkak të kostove të larta.
“Do të doja që njerëzit që më votuan të kishin mundësinë të ishin aty”, u shpreh presidenti amerikan.
Megjithatë, Trump theksoi se pavarësisht polemikave për çmimet, 2026 FIFA World Cup po shihet si “një sukses i jashtëzakonshëm” dhe ka gjeneruar interes të madh në mbarë botën.
/tiranapost
