Bota

Trump e bën sërish, mërzitet me gazetaren dhe braktis intervistën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është larguar nga një intervistë me NBC gjatë emisionit Meet The Press, pas një debati të ashpër me gazetaren Kristen Welker mbi deklaratat e tij për proceset zgjedhore.

Gjatë bisedës, Trump përsëriti pretendimet se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe disa procese aktuale të numërimit të votave në Kaliforni janë të manipuluara. Kur u pyet për prova konkrete, ai u përgjigj se i mjafton “të shohë dhe të dëgjojë”.

Gazetarja e kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se nuk përbën dëshmi, çka çoi në një përplasje të mëtejshme mes tyre. Trump e akuzoi median për mungesë objektiviteti dhe përdori gjuhë të ashpër ndaj moderatores.

Pas kësaj, ai deklaroi se nuk do të vijonte më intervistën dhe u ngrit nga vendi, duke e ndërprerë bisedën para përfundimit të saj. Sipas NBC, intervista ishte zhvilluar në një fermë në shtetin e Wisconsin, në kushte të vështira për shkak të motit dhe ndërprerjeve teknike.

Ky nuk është rasti i parë kur Trump ndërpret intervista ose përplaset me gazetarë gjatë pyetjeve kritike, sidomos kur tema lidhet me zgjedhjet.

Në pjesën e mbetur të bisedës, u diskutuan edhe zhvillimet me Iran, ku Trump theksoi se SHBA-ja duhet të pengojë armatosjen bërthamore të Teheranit dhe se angazhimi amerikan nuk do të kthehet në një konflikt të zgjatur.

Pas transmetimit, gazetarja Welker deklaroi se ishte diskutuar mundësia për një intervistë tjetër në të ardhmen, pasi të dy palët pranuan se kushtet e motit kishin ndikuar në zhvillimin e bisedës.

/tiranapost

Të Ngjashme