Bota

Trump godet regjimin kuban. SHBA ngre akuza penale ndaj Raúl Castro për rrëzimin e avionëve

Administrata e Presidentit Donald Trump ka ngritur akuza penale ndaj ish-presidentit kuban Raúl Castro, në një lëvizje që po konsiderohet si përshkallëzim i madh i presionit amerikan ndaj regjimit komunist në Kubë.

Sipas mediave amerikane, Departamenti i Drejtësisë në SHBA e akuzon 94-vjeçarin për përfshirje në rrëzimin e dy avionëve civilë në vitin 1996, një incident ku humbën jetën katër persona. Hetuesit amerikanë pretendojnë se Castro, i cili në atë kohë ishte ministër i Mbrojtjes i Kubës, kishte dhënë urdhër për sulmin ndaj avionëve të grupit “Brothers to the Rescue”, organizatë e krijuar nga emigrantë kubanë në SHBA.

Padia përfshin akuza për vrasje, komplot për vrasjen e qytetarëve amerikanë dhe shkatërrim avionësh. Bashkë me Castron janë akuzuar edhe disa ish-pilotë ushtarakë kubanë.

Lajmi ka shkaktuar reagime të forta në Havana. Presidenti Miguel Díaz-Canel i cilësoi akuzat si të motivuara politikisht, ndërsa qeveria kubane akuzoi Uashingtonin për rritje të tensioneve mes dy vendeve.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i njohur për qëndrimet e ashpra ndaj regjimit kuban, deklaroi se SHBA do të vazhdojë presionin ndaj udhëheqjes së Kubës, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe përkeqësimin e krizës ekonomike në ishull.

Kjo lëvizje shihet si pjesë e strategjisë së administratës Trump për të izoluar më tej regjimin kuban dhe për të shtuar presionin për ndryshime politike në vend.

/tiranapost

Të Ngjashme