Lajme

Trumpi bëhet presidenti i parë amerikan në detyrë që shfaqet në një monedhë në qarkullim

Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë në qarkullim monedhën e re 1-dollarëshe me portretin e presidentit Donald Trump, duke shënuar një moment të veçantë në historinë e monedhave amerikane.

Donald Trump është presidenti i parë në detyrë që shfaqet në një monedhë të destinuar për përdorim të përditshëm. Monedha është pjesë e emetimit të posaçëm për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Sipas United States Mint, monedhat janë prerë në Filadelfia dhe kanë vlerë nominale prej një dollari. Në anën e përparme paraqitet portreti i Trumpit, së bashku me mbishkrimet “LIBERTY” (“LIRI), “IN GOD WE TRUST” (NE BESOJMË TE ZOTI) dhe vitet “1776–2026”.

Në anën e pasme është vendosur vula presidenciale e SHBA-së, ndërsa në mburojën e shqiponjës është shtuar numri “250”, në shenjë të 250-vjetorit të vendit.

Për koleksionistët, një pjesë e veçantë e emetimit është edhe më e rrallë. Mint-i ka prerë 250 mijë monedha më 4 korrik, të cilat mbajnë një shenjë speciale “July 4th”. Ato janë shpërndarë rastësisht në rrotullat dhe qeset e monedhave të ofruara për shitje.

Monedhat shiten nga Mint-i në rrotulla me 25 copë për 61 dollarë, ndërsa një qese me 100 monedha kushton 154.50 dollarë.

Megjithëse kanë ngjyrë të artë, monedhat nuk përmbajnë ar. Përbërja e tyre është 88.5% bakër, 6% zink, 3.5% mangan dhe 2% nikel.

Vendosja e portretit të një presidenti në detyrë në një monedhë të zakonshme ka ngjallur edhe debat ligjor. Ligji amerikan përgjithësisht kufizon paraqitjen e personave të gjallë në monedha, por emetimi i vitit 2026 mbështetet në ligjin e vitit 2020 për riformatimin e monedhave në kuadër të 250-vjetorit të SHBA-së.

Një precedent ekzistonte më herët, kur presidenti Calvin Coolidge u shfaq në një monedhë gjysmë-dollarëshe në vitin 1926, por ajo ishte monedhë përkujtimore dhe jo e destinuar për qarkullim të përditshëm.

Të Ngjashme