Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se u shiste pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit llastiqe gjuetie dhe sfera metalike, që sipas Policisë do të përdoreshin për të goditur efektivët dhe institucionet. Gjatë operacionit të koduar “Infrastruktura”, uniformat blu zbuluan edhe një magazinë me qindra pajisje të dyshuara si të kontrabanduara, për të cilat i riu nuk dispononte dokumentacion.
Sipas Policisë së Tiranës, 23-vjeçari me inicialet O. M., banues në kryeqytet, u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, teksa u shiste protestuesve 30 llastiqe gjuetie dhe sfera metalike. Artikujt u sekuestruan si prova materiale.
Në vijim të operacionit, policia ushtroi kontroll në një magazinë që zotërohej nga i riu, në rrugën “Kol Koçi”, ku zbuloi një sasi të konsiderueshme pajisjesh dhe artikujsh të ndryshëm.
Mes sendeve të sekuestruara janë 239 dronë, 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme sferash metalike, si dhe 44 celularë, 17 powerbank, 10 pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve, 11 llamba LED dhe 3 dryna elektronikë me GPS.
Në magazinë u gjetën gjithashtu pajisje për zbulimin e sinjaleve, syze me videoregjistrues, pajisje DVR, kamera për automjete, pajisje Bluetooth, pajisje lazer, elektrikë dore dhe artikuj të tjerë elektronikë. Lista përfshin edhe pajisje për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave, pajisje kompjuterike, ora inteligjente dhe çanta që hapen përmes gjurmëve të gishtave. Sipas njoftimit zyrtar, 23-vjeçari nuk dispononte dokumentacion për pajisjet dhe artikujt e gjetur në magazinë.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Infrastruktura”. Zbulohet një magazinë me mbi 450 pajisje dhe artikuj (dronë, dedektorë, pajisje zbuluese/regjistruese, etj) të kontrabanduar. Në magazinë u gjetën edhe 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi të konsiderueshme me sfera metalike. Vihet në pranga 23-vjeçari që posedonte pajisjet/artikujt, dyshohet për qëllime të kundërligjshme.
Ai u kap duke iu shitur llastiqe dhe sfera, pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit, për të goditur punonjësit e Policisë dhe insitucionet. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, finalizuan operacionin e koduar “Infrastruktura”, gjatë të cilit u arrestua pas konsultimit me prokurorin, shtetasi O. M., 23 vjeç, banues në Tiranë. 23-vjeçari u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët”, duke iu shitur pjesëmarrësve në protestë, 30 llastiqe gjuetie me sfera metalike, që u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Më tej, u krye kontroll në një magazinë që posedonte 23-vjeçari, në rrugën “Kol Koçi”, ku u gjetën:
-239 dronë të madhësive të ndryshme;
-75 llastiqe gjuetie; një sasi të konsiderueshme me sfera metalike;
-44 celularë;
-17 Powerbank, 10 pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve; 11 llamba LED; 3 drynë elektronikë me GPS;
-1 pajisje elektronike me antenë (RFGS Detector);
-3 palë syze me videoregjistrues;
-pajisje DVR;
-7 pajisje Bluetooth për automjete; 8 pajisje Blackbox me kamera për automjete;
-1 kompresor, 8 elektrikë dore; 6 pajisje lazer;
-2 pajisje Xiaomi Smart Plug 2; 3 pajisje elektronike; 5 pajisje K-68 për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave;
-12 pajisje kompjuterike (mouse); 7 pajisje me lojëra kompjuterike; 7 pajisje Watch 10 Pro Max;
-8 çanta me hapje me gjurmë gishtash.
Shtetasi O. M. nuk dispononte asnjë dokumentacion për këto pajisje/artikuj. Vijon hetimi për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të shtetasit O. M., si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në të. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të parregjistruar në organet tatimore dhe moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore”.
