Tina Turner, ylli i muzikës Rock’n Roll, ka ndërruar jetë dje në moshën 83 vjeçare. Ajo ka mbyllur sytë përgjithmonë, duke trishtuar fansat e saj dhe dashamirësit anë e mbanë botës. Sipas përfaqësuesit të saj, Tina Turner ka vdekur në shtëpinë e saj në Zvicër, nga shkaqe natyrale.
Legjenda e muzikës po luftonte prej vitesh me një sëmundje të rëndë, natyra e së cilës nuk u bë e ditur. Por, Tina Turner ka folur vetë teksa ishte gjallë për trajtimin e kancerit të zorrës, gjithashtu vuante prej tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjes së veshkave.
Më herët, në tetor të 2013, Tina Turner pësoi një goditje në tru.
“U zgjova papritur dhe në panik. Një rrufe më goditi kokën dhe këmbën e djathtë, të paktën kështu ndihesha dhe pata një ndjesi qesharake në gojën time që e bëri të vështirë për mua t’i thërrisja Ervinit për ndihmë. Dyshova se nuk ishte mirë, por ishte më keq se sa e kisha imagjinuar”, shkroi ajo.
Pas goditjes në tru, ikona e muzikës botërore tha se tensioni i lartë i gjakut po i dëmtonte veshkat. Ajo më pas zbuloi se kishte të drejtë dhe gjatë një analize doli në pah se veshkat ishin vetëm 35% funksionale. Më vonë ky funksion ra në 5% dhe Turner u detyrua të bëjë në transplant.
Në vitin 2016, Tina Turner u diagnostikua me kancer në zorrë. Fatmirësisht, ai mund të hiqej dhe këngëtarja iu nënshtrua një operacioni. Ylli i muzikës gjithashtu tha në dokumentarin e saj të vitit 2021, të titulluar “Tina”, se ajo vuante nga PTSD.