Ka ndërruar jetë punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili kishte pësuar lëndime të rënda trupore gjatë kryerjes së detyrës së punës në Obiliq më 8 korrik.
Rasti ishte raportuar nga Policia e Kosovës, e cila kishte bërë të ditur se punëtori ishte lënduar gjatë punës dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Obiliq, 08.07.2026 – 14:00. Raportohet se ankuesi, mashkull kosovar, derisa ishte duke punuar ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, me vendim të të cilit është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhej në raportin e Policisë së Kosovës.
Lajmin për vdekjen e punëtorit e ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme Sindikata e Re e KEK-ut, e cila përmes një njoftimi ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe të afërmit e tij.
“Njoftojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut se një javë pas lëndimit që pësoi në vendin e punës, u nda nga jeta shoku, kolegu dhe bashkëpunëtori ynë i nderuar, Milazim Binaku. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Binaku, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe u prehtë në paqe”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Re të KEK-ut.
Rrethanat e aksidentit në vendin e punës vazhdojnë të jenë objekt i hetimeve nga organet kompetente.
