Leonard Ademaj, ka falënderuar organet e drejtësisë, hetuesit, mediat dhe të gjithë mbështetësit e tjerë në procesin gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt.
Ademaj me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se femicidi në Kosovë duhet të marrë fund me rastin e Liridona Ademajt, shkruan Insajderi.
“Kosova duhet të bëhet një vend ku asnjë çikë, asnjë grua nuk duhet të maltretohet, sulmohet apo vritet. Femicidi duhet të marrë fund dhe ne, si familje Ademaj, jemi në dispozicion që t’i bashkohemi çdo kauze dhe iniciative që ndihmon në ndaljen e femicidit”, deklaroi ndër të tjera Ademaj.
Shkrimi i plotë:
Një mijë herë faleminderit.
Nëse një ditë, papritur, e merr lajmin që vajza, motra apo familjarja të është vrarë, është një situatë për të cilën askush nuk është i përgatitur. Kështu na gjeti neve vrasja e Liridonës.
Pikëllimi dhe mërzia që na kaploi nuk mund të përshkruhen me fjalë, sepse nuk mund të maten; ato të pushtojnë dhe ta thyejnë zemrën.
Në ato ditë ka diçka që ka rëndësi të veçantë dhe që mbetet gjithmonë me njerëzit, dhe kjo është solidariteti i njerëzve dhe puna e institucioneve.
Prandaj sot, derisa ndjehemi pak të lehtësuar nga dënimi i kriminelëve, duam të falënderojmë të gjithë ata që reaguan dhe na qëndruan pranë.
Faleminderit mediave, gazetarëve dhe gazetareve që raportuan për rastin tonë. Unë, si Leonard, nuk kam pasur përvojë me media dhe më vjen keq nëse ndonjëherë nuk kam mundur të përgjigjem, por jam falënderues që më keni kuptuar mua dhe familjen time.
Gazetarët në Kosovë kanë treguar nivel të lartë të etikës në raportimin e rastit tonë dhe për këtë i falënderojmë.
Faleminderit publikut, të cilët me mijëra mesazhe e komente nga e gjithë bota na mbështetën, na dhanë forcë dhe na inkurajuan të luftonim për drejtësi.
Faleminderit hetuesve, policisë, prokurorisë dhe gjykatës për punën që kanë kryer dhe profesionalizmin e tyre.
Faleminderit avokatit tonë, Leutrim Syla. Përfaqësimi i tij profesional para institucioneve, udhëzimet e tij për ne si familje dhe kujdesi personal që ka treguar, na kanë dhënë siguri të madhe dhe për këtë e falënderojmë shumë. Ky rast ka kërkuar shumë punë dhe Leutrimi ka punuar ditë e natë që ky rast të përfundojë sa më mirë.
Faleminderit Flutura Kusarit, e cila nga dita e parë kur është vrarë Liridona ka qëndruar me ne, na ka udhëzuar, na ka ndihmuar dhe mbi të gjitha i ka qëndruar afër nënës tonë. Shumë njerëz mendojnë që Flutura është familjare e jona. Ajo nuk është, por i kemi thënë shpesh që ti je bërë anëtare e familjes tonë.
Në fund, duam të themi:
Kosova duhet të bëhet një vend ku asnjë çikë, asnjë grua nuk duhet të maltretohet, sulmohet apo vritet. Femicidi duhet të marrë fund dhe ne, si familje Ademaj, jemi në dispozicion që t’i bashkohemi çdo kauze dhe iniciative që ndihmon në ndaljen e femicidit.
Me respekt të lartë,
Leonard Ademaj me familje
