Shqipëria do të mbetet edhe të premten nën ndikimin e motit të nxehtë, me temperatura të larta dhe kthjellime në pjesën më të madhe të territorit. Termometri pritet të ngjitet deri në 39°C në disa qytete të vendit.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të jetë kryesisht i kthjellët gjatë gjithë ditës. Vranësira të pakta deri mesatare do të shfaqen në zonat malore të veriut dhe verilindjes, ku mund të ketë reshje të izoluara shiu.
Temperaturat maksimale do të arrijnë në 39°C në Berat, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Në Elbasan dhe Sarandë priten 38°C, ndërsa në Fier dhe Vlorë 37°C.
Korça dhe Bulqiza do të regjistrojnë temperaturat më të ulëta maksimale, deri në 34°C.
Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim–perëndim me shpejtësi mesatare rreth 7 metra në sekondë.
Në bregdetin jugor ajo pritet të forcohet herë pas here deri në 14 metra në sekondë.
Në det parashikohet valëzim i ulët, me forcë 1 deri në 2 ballë.
