Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurohen se janë të vaksinuar kundër fruthit.
Përmes një video-adresimi të publikuar në Facebook, Vitia ka paralajmëruar për rikthimin e kësaj sëmundjeje në vend, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e përhapjes së mëtejshme.
“Të dashur prindër, fruthi është rikthyer në vendin tonë, sëmundje që mund të shkaktojë komplikime dhe shumë telashe shëndetësore”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka theksuar se institucionet shëndetësore po e monitorojnë nga afër situatën epidemiologjike dhe po ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.
Sipas ministrit, vaksinimi i rregullt mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për mbrojtjen nga fruthi dhe parandalimin e përhapjes së tij.
“Prandaj, të dashur prindër, ju lutem që të kontrolloni statusin e vaksinimit të fëmijëve tanë dhe të sigurohemi që ata të jenë të vaksinuar”, ka apeluar Vitia.
Në fund, ministri ka theksuar rëndësinë e përgjegjësisë dhe angazhimit të përbashkët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj sëmundjeje.
