Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku mbetën të plagosur gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit.
Në mesazhin e tij, Demo dënoi aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk mund të shoqërohet me sulme ndaj forcave të rendit.
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, u shpreh ministri.
Demo u bëri thirrje pjesëmarrësve në protestë të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo akt që mund të përshkallëzojë tensionet.
“U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë. Dhuna nuk justifikohet. Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve”, theksoi ai.
Ministri shprehu gjithashtu solidaritetin me efektivët e lënduar dhe familjet e tyre, duke u uruar shërim sa më të shpejtë.
“U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë”, shkroi Demo.
Në reagimin e tij, kreu i Ministrisë së Brendshme garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrat e saj për ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë, duke respektuar njëkohësisht të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
“Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin”, nënvizoi ministri.
