Ishte paraparë që në bankat shkollore të kthehen më 1 shtator.
Por kjo ditë, disa nxënës të klasës së pestë në shkollën “Pavarësia” në kryeqytet nuk i gjeti aty.
Në klasën ku do duhej të ishin 39 nxënës, janë vetëm tre.
36 të tjerë po bojkotojnë procesin mësimor, pasi ende nuk u është caktuar një mësuese nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë.
Se nuk ka një mësimdhënëse për ta, prindërit thonë se e kuptuan tek më 1 shtator kur i sollën fëmijët në shkollë.
Ani pse thonë se kjo nuk është hera e parë që një gjë e tillë ndodh.
“Ky problem neve si klasë na ka përcjellë prej klasës së dytë, në gjysmëvjetorin e dytë, kur mësimdhënësja që ka qenë e përcaktuar me përcjellë deri në klasën e pestë është caktuar ushtruese e detyrës së zëvendës drejtoreshës dhe vendi ka mbet pa mësimdhënës dhe kanë shkuar me zëvendësime. Deri më tani janë ndërruar tre mësimdhënës, kjo po reflekton te fëmijët tonë”, ka thënë një nga prind
Por nga “Pavarësia” bëjnë me dije se kërkesën e kanë bërë.
E derisa Drejtoria Komunale e Arsimit ta sjellë një mësimdhënëse, drejtori i Shkollës, Halil Brahaj thotë se kanë bërë një zëvendësim të brendshëm.
“E kemi bërë kërkesën dhe na kanë thënë që shumë shpejtë do të vie mësuesja e re, zëvendësim për një vit të plotë, po presim që brenda pak kohe që kjo të zgjedhet. Derisa ajo të mos vie ne kemi mësuese tonë e cila është poashtu e klasës pestë, por një paralele tjetre”, ka deklaruar drejtori i shkollës “Pavarësia”
Por me këtë, nuk po pajtohen prindërit e nxënësve.
“Drejtori na tha që e kanë bërë një zgjidhje që mësimdhënëse e cila ka më dhënë mësim paradite dhe pasdite, por ne si prind nuk pranojmë ashtu duke marrë parasysh se angazhimi i mësimdhënëses në dy ndërrime është i pamundur dhe nuk mund të japë rezultat pozitiv për fëmijët tanë”, u shpreh tutje prindi.
E nga DKA kanë treguar arsyet e vonesave në zëvendësimin e stafit arsimor.
“E para për shkak të numrave ne jemi të kufizuar në numrat e rekrutimit e këtu kemi pasur kujdes shumë të madh duke ditë që vitin e kaluar janë angazhuar 20 edukatore që për një vit rresht nuk kanë marrë pagë. Unë jam kujdes që persona që angazhohen si mësimdhënëse, si mësues apo arsimtare, të sigurohet që për ta ka mbulesë buxhetore dhe për këtë nuk kam dashur të ngutem dhe fatkeqësisht mund të afektohet, edhe në ditët e para ka afektuar edhe në shkollën ‘Pavarësia’, mirëpo ajo që është e sigurt që ata që caktohen aty do të paguhen”, tha Arianit Elshani nga DKA.
Më të njëjtin problem është raportuar se janë përballur edhe disa shkolla të tjera në Prishtinë.
