Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë, ngjarje e cila fillimisht u dyshua se kishte ndodhur si pasojë e sulmit nga një ari. Hetimet kanë zbuluar se bëhej fjalë për një krim të rëndë brenda familjes, ndërsa për ngjarjen janë arrestuar bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, dhe djali i tij, Gëzim Fiku.
Sipas të dhënave hetimore, 61-vjeçari dyshohet se është qëlluar fillimisht me armë zjarri, pistoletë, dhe më pas është goditur edhe me sëpatë. Pas ngjarjes, bashkëshortja dhe djali i tij dyshohet se kanë ndërmarrë veprime për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të krijuar një version tjetër mbi rrethanat e vdekjes.
Pas plagosjes, Urim Fiku është transportuar në spital, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij. Në momentin kur Sadete dhe Gëzim Fiku kanë kërkuar të tërhiqnin trupin e 61-vjeçarit për të organizuar ceremoninë mortore, bluzat e bardha kanë njoftuar policinë. Ky veprim ka bërë që uniformat blu të kryejnë verifikimet e nevojshme dhe të nisin hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Gjatë marrjes në pyetje, Sadete Fiku ka dhënë detaje mbi rrethanat e ngjarjes, duke pretenduar se motivi i vrasjes lidhej me xhelozinë. Sipas dëshmisë së saj, bashkëshorti kishte krijuar një lidhje paralele me një grua tjetër.
Ajo ka deklaruar se Urim Fiku ishte vrarë me pistoletë, të cilën fillimisht e kishte fshehur në një vend dhe më pas ia kishte treguar të birit. Gëzim Fiku e kishte marrë armën dhe e kishte zhvendosur në një tjetër vend, pa i treguar nënës se ku e kishte fshehur.
Ndërkohë, Gëzim Fiku, i cili sipas të dhënave është përgjegjës i OSHEE-së në zonën e Bulqizës dhe akuzohet për përfshirjen në vrasjen e babait të tij, Urim Fiku, nuk ka pranuar autorësinë e krimit.
Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, ai ka mbajtur qëndrim mohues, duke pretenduar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja nuk ndodhej në banesë, por ishte në vendin e tij të punës pranë OSHEE-së.
Sipas dëshmisë së tij, ai ka treguar se ishte në punë kur është telefonuar nga nëna, Sadete Fiku, e cila e kishte njoftuar se babai i tij ishte sulmuar nga një ari, teksa kishte dalë për të kullotur bagëtitë.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimeve lidhet me veprimet që dyshohet se kanë kryer nënë e bir pas vrasjes. Sipas hetimeve, ata dyshohet se i kanë ndërruar rrobat viktimës, me qëllim fshehjen e plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit.
Veshjet e hequra nga trupi i 61-vjeçarit, sipas hetuesve, janë prerë me gërshërë nga Gëzim Fiku dhe më pas janë hedhur në tualetin e banesës, në përpjekje për të zhdukur provat që mund të lidhnin ngjarjen me përdorimin e armës së zjarrit.
Policia ka sekuestruar rrobat e viktimës si prova materiale. Gjithashtu, është gjetur edhe pistoleta e përdorur në krim, vendndodhjen e së cilës e ka treguar vetë djali i viktimës.
Një tjetër provë e rëndësishme është pajisja DVR e sekuestruar në banesën e Urim Fikut. Pajisja ishte e lidhur me tri kamera sigurie të instaluara në shtëpi.
Pamjet filmike pritet t’i nënshtrohen ekspertimit dhe verifikimeve nga grupi hetimor, me qëllim dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar Sadete Fikun dhe djalin e saj, Gëzim Fikun.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.
Të dy pritet të dalin në ditët në vijim përpara Gjykatës së Dibrës, ku prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
