Vajza e tyre, Jetlira Foniqi, 25 vjeçare, mbeti e vrarë.
I dyshuar është bashkëshorti, Egzon Bytyçi, i cili gjithashtu mbeti i plagosur rëndë, dhe ndodhet në gjendje kritike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ngjarja ndodhi në shtëpinë ku banonte çifti, në Kërvasar në Malishevës.
“Nëse flasim për informacionet e mëngjesit, ne e dimë dhe besojmë shumë se si familje, e bija jonë është privuar nga jeta. Ka ndodhë përmes aktit të vrasjes edhe me këtë qëndrojmë, ndërsa konstatimet tjera i presim prej Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Jemi në dhimbjen tonë, është privuar nga jeta bija jonë dhe prej këtu bëjmë thirrje në arritjen e drejtësisë së plotë”, u shpreh, Flamur Foniqi, djali i axhës së viktimës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se e ndjera ishte në javën e 34 të shtatzanisë.
E familja Bytyçi mbylli dyert e shtëpisë të hënën.
Komandanti i Policisë Naim Zogaj tregon se kur mbërritën në këtë shtëpi, i gjetën dy persona të plagosur.
“Me të pësuar rastin, njësimet policore dhe emergjenca kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Lëndimet kanë qenë shumë të rënda dhe menjëherë janë transportuar për në QKUK në Prishtinë dhe pjesa ku tregon se arma ka qenë me leje…”, tha Zogaj.
Deri më tani, Zogaj tregon se kanë intervistuar familjarët e të dyshuarit, të cilët kanë thënë se djali i tyre po përballej me disa probleme mendore.
I dyshuari aktualisht ndodhet në trajtim mjekësor në QKUK.
“Personi tjetër, mashkull, 26-vjeçar, është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë. Stafi emergjent- QKUK, është duke ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe, në përputhje me procedurat në fuqi, do të bashkëpunojë me institucionet kompetente”, thuhet nga QKUK.
Prokuroria Themelore e Gjakovës tashmë rastin e ka cilësuar si “vrasje e rëndë”.
Trupi i viktimës 25 vjeçare është dërguar për obuksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
