11.10.2026 – 22:36
E dhimbshme, ky është 29-vjeçari që dyshohet se u vra nga babai i tij në Pogragjë të Gjilanit

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e 11 tetorit fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri.
Burimet e medias bëjnë me dije se viktima është Bajram Arifi, i lindur në vitin 1997.
Sipas informacioneve fillestare, ai dyshohet se është qëlluar me armë nga babai i tij, Ramiz Arifi, rreth orës 19:30.
Ekipi emergjent ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuar vdekjen e 29-vjeçarit.
Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se është larguar nga vendi me një veturë Suzuki.
Njësitë relevante të Policisë janë angazhuar në rast, ndërsa kërkimet për lokalizimin e të dyshuarit dhe hetimet për motivin e rrethanat e vrasjes po vazhdojnë.
11.10.2026 – 21:57
Pas dy vrasjeve që tronditën Gjilanin, Hyseni thërret mbledhje urgjente për sigurinë

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas dy ngjarjeve të rënda që tronditën këtë komunë, ku brenda pak ditësh u shënuan dy vrasje të dyshuara, përfshirë vrasjen e dyfishtë të së premtes dhe një rast tjetër me pasojë humbjen e jetës sonte.
Hyseni ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka bërë të ditur se të hënën në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, me qëllim koordinimin e masave për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të tilla, përcjell “Bota sot”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi, maturi dhe bashkëpunim me organet e rendit.
Reagimi i plotë
Të dashur qytetarë të Gjilanit,
Komuna jonë po përballet me një situatë të rëndë pas dy ngjarjeve tragjike. Pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten, qyteti ynë u prek përsëri sonte nga një tjetër incident me pasojë humbjen e jetës.
Në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këto dy ngjarje, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë.
Për të adresuar këtë gjendje, nesër në mëngjes do të thërras në mbledhje urgjente Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi. Së bashku me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe të gjitha organet e rendit dhe të ligjit, do të koordinojmë hapat e menjëhershëm për të garantuar rendin publik dhe sigurinë në çdo pjesë të komunës sonë.
Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional. Komuna e Gjilanit do të përdorë të gjitha kompetencat e saj për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.
I ftoj të gjithë qytetarët për maturi, qetësi dhe bashkëpunim të plotë me organet e rendit.
11.10.2026 – 21:52
Kjo është familja ku ndodhi rasti i rëndë sonte në Gjilan

Të shtënat që u dëgjuan mbrëmjen e sotme në Pogragjë të Gjilanit, rezultuan fatale. Një person po dyshohet se u vra nga prindi me armë zjarri, në rrethana e motive akoma të paqarta.
Vrasja u konfirmua nga Policia, ndërsa media ka mësuar se rasti ka ndodhur në familjen Arifi.
Viktima që po dyshohet se qëllua nga babai ishte 29-vjeçar.
Policia ka bërë të ditur se një i dyshuar, i njohur për organet e rendit, është në kërkim, pasi është arratisur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
11.10.2026 – 21:42
Policia konfirmon vrasjen në Pogragjë të Gjilanit, dorasi në arrati
Një 29-vjeçar është vrarë sonte në Pogragjë të Gjilanit.
Zëdhënësi i policisë rajonale për Gjilan, Valon Osmani, ka bërë të ditur se rreth orës 19:30 kanë pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Pogragjë të komunës së Gjilanit.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit. Sipas informatave fillestare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1997. Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor”.
Lidhur me rastin një person i dyshuar mashkull kosovar i njohur për policinë është vënë në kërkim policor, pasi dyshohet se pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
11.10.2026 – 21:37
Babai dyshohet se vrau djalin e tij sonte në Gjilan

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sonte fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një person dyshohet se ka mbetur i vrarë, ndërsa dyshimet e para janë se autor i krimit mund të jetë babai i viktimës.
Siç mëson media nga burimet e saj, rasti ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, ndërsa hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas raportimeve të para të mediave lokale, viktima dyshohet se është vrarë nga babai i tij, por këto rrethana ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Ngjarja ka ngritur dyshime për një tragjedi të rëndë familjare, ndërsa ende nuk dihen motivet që mund të kenë çuar deri te vrasja.
Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të rastit, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura identitetet e personave të përfshirë.
11.10.2026 – 21:36
Dyshohet për vrasje në Pogragjë të Gjilanit
Një vrasje e dyshuar raportohet të ketë ndodhur sonte në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ndërsa autoritetet policore kanë nisur veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Zëdhënësi i policisë rajonale për Gjilan, Valon Osmani, ka bërë të ditur se hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes, por ende nuk dihet zyrtarisht se për çfarë rasti bëhet fjalë më konkretisht.
Rrethanat e rastit, identiteti i personave të përfshirë dhe motivi i mundshëm mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që organet kompetente të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore.
Kujtojmë, më 10 tetor 2026, në Livoq të Ulët të Gjilanit ka ndodhur një vrasje e dyfishtë dhe një i plagosur, i cili ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore.
