Shkencëtarët kanë zbuluar një aftësi të pazakontë të kastravecit të detit Psolus fabricii, një specie që jeton në Atlantikun e Veriut.Pjesët e ndara të trupit të tij nuk vdesin siç pritet, por rigjenerohen vetë, rriten dhe mbeten funksionale për vite me radhë pasi ndahen nga organizmi, shkruan CNN .
Zbulimi u bë krejt rastësisht. Studiuesit vunë re se pjesët e këmbëve tubulare, të cilat kafsha i la të ngjitura në muret e akuariumit, mbetën gjallë edhe pas disa muajsh. Në vend që të kalbej, indi vazhdoi të shërohej, të rritej dhe të reagonte ndaj stimujve të jashtëm.Për të kontrolluar se për çfarë bëhej fjalë, ata studiuan pjesë të veçanta të këmbëve, tentakulave dhe trupit të kastravecave të detit në kushte laboratorike. Rezultatet i habitën: indet rigjeneroheshin vetë, thithnin lëndë ushqyese nga uji i detit dhe ruanin një sistem imunitar aktiv, edhe pse nuk kishin gojë apo sistem tretës.
Udhëheqësja e kërkimit, Sarah Jobson, nga Universiteti Memorial në Kanada, theksoi se ky është rasti i parë i njohur i “pavdekshmërisë së indeve” në kushte natyrore. Pjesët e ndara nuk u zhvilluan në individë të rinj, gjë që njihet te disa lloje të tjera të kastravecave të detit, por mbetën struktura të pavarura, funksionale që vazhdojnë të jetojnë.
Zhvillimi i terapive të reja për njerëzit?
Për shkak të kësaj, studiuesit i quajnë me dashuri “zombi”, sepse ndodhen në kufirin midis jetës dhe vdekjes. Indet lëvizin, i përgjigjen prekjes, gjenerojnë qeliza të reja dhe nuk tregojnë shenja përkeqësimi edhe pas më shumë se tre vjetësh.
Zbulimi ngre shumë pyetje shkencore dhe filozofike. Pse pjesët e ndara të indeve do të investonin energji për mbijetesë nëse nuk mund të riprodhohen? Cili është avantazhi evolucionar i një aftësie të tillë?
Shkencëtarët besojnë se ky hulumtim mund të ketë zbatime të rëndësishme në mjekësi. Një kuptim më i mirë i proceseve të rigjenerimit, shërimit të plagëve dhe plakjes mund të ndihmojë në zhvillimin e terapive të reja për njerëzit.
Indet e kastravecit të detit mund të bëhen gjithashtu një model i vlefshëm për kërkime laboratorike, potencialisht si një alternativë ndaj qelizave të njohura HeLa që janë përdorur në biomjekësi për dekada të tëra.
Një zbulim krejt i ri në biologji
Përveç kësaj, inde të tilla mund të shërbejnë për të hetuar ndikimin e ndryshimeve klimatike, ndotjes dhe patogjenëve në ekosistemet detare.
Hapi tjetër do të jetë analiza e ADN-së për të përcaktuar nëse këto qeliza plaken gjatë ndarjes.
Ekspertët që nuk morën pjesë në kërkim e vlerësojnë këtë zbulim si krejtësisht të ri në biologji. Edhe pse yjet e detit, iriqët e detit dhe kastravecat e detit njihen për aftësinë e tyre të jashtëzakonshme për t’u rigjeneruar, deri më tani nuk është regjistruar që një ind i veçantë të mund të mbijetojë për aq kohë sa një entitet i pavarur dhe funksional.
Kjo sugjeron që disa inde mund të kenë një aftësi shumë më të madhe për t’u vetëmjaftuar sesa mendohej më parë.
