Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për të mos e rikthyer Fatmir Limajn në parti ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në skenën politike. Çështja mori vëmendje të veçantë pasi kundër këtij vendimi dolën publikisht edhe disa figura të njohura të PDK-së, (Artan Behrami, Ramiz Lladrovci, Mërgim Lushtaku…) të cilët, megjithëse deklaruan se respektojnë qëndrimin zyrtar të partisë, shprehën hapur mospajtimin e tyre.
Këto reagime kanë shtuar pikëpyetjet nëse brenda PDK-së ekzistojnë dallime dhe pakënaqësi që po dalin gradualisht në sipërfaqe.
Të gjitha këto zhvillime vijnë në një moment të rëndësishëm për partinë, e cila po përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor, që do mbahet me 7 qershor. Në këtë kontekst, edhe vonesa në publikimin e listës së kandidatëve për deputetë është parë si një tjetër sinjal i sfidave të brendshme me të cilat mund të jetë duke u përballur PDK-ja.
Daljet publike me qëndrime të ndryshme nga zyrtarë të partisë kanë krijuar përshtypjen e një klime jo plotësisht të unifikuar, duke ngritur dilema mbi përçarje të brendshme, por të cilat duken se po kamuflohen mjaft mirë.
Në prag të një gare të rëndësishme politike, mbetet të shihet nëse PDK-ja do të arrijë t’i menaxhojë këto mospajtime dhe të ruajë unitetin e saj të brendshëm, apo nëse debatet e fundit do të reflektohen edhe në mbështetjen elektorale dhe rezultatin e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Halili: Çdo perceptim publik për mungesë uniteti mund të ketë pasoja në mobilizimin e votuesve
E në lidhje me këto zhvillime të brendshme në PDK dhe se si pritet të ndikojë vendimi për refuzimin e Limajt në zgjedhjet e 7 qershorit, për “Bota sot” foli profesori Nijazi Halili.

Nijazi Halili
Fillimisht, ai u shpreh se, dallimet brenda PDK-së bëhen gjithnjë më të dukshme në kohë zgjedhjesh.
Sipas tij, edhe deklaratat e hapura nga figura të kësaj partie kundër këtij vendimi, tregojnë se ka mendime të ndryshme dhe debate të brendshme politike.
“Refuzimi zyrtar i rikthimit të Fatmir Limajt në PDK dhe reagimet publike të disa figurave të njohura të kësaj partie tregojnë se brenda PDK-së ekzistojnë mendime dhe orientime të ndryshme politike, të cilat në periudha zgjedhore bëhen më të dukshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi të bëjmë me një përçarje të thellë strukturore, por më shumë me dallime rreth strategjisë politike, mënyrës së konsolidimit të partisë dhe raportit me figurat historike të saj.
Fakti që emra si Ramiz Lladrovci, Artan Behrami dhe Mërgim Lushtaku dolën publikisht me qëndrime ndryshe nga vendimi zyrtar, por njëkohësisht deklaruan respektim të linjës së partisë, tregon se brenda PDK-së po zhvillohet një debat i brendshëm politik”.
Krahas kësaj, Halili tregoi edhe pse refuzimi i Limajt ka prodhuar reagime emocionale e politike.
“Nga ana tjetër, figura e Fatmir Limaj mbetet simbolikisht e lidhur me historinë politike dhe ushtarake të një pjese të elektoratit të PDK-së. Prandaj, refuzimi i rikthimit të tij ka prodhuar reagime emocionale dhe politike, jo vetëm te individë brenda partisë, por edhe te një segment i elektoratit tradicional të saj”.
Përveç kësaj, ai u ndal edhe te fakti se PDK ishte partia e fundit që e publikoi listën e kandidatëve për deputetë e që sipas tij, ky është sinjal se në këtë parti ka pasur negociata dhe kalkulime deri në momentin e fundit.
“Vonesa në publikimin e listës së kandidatëve për deputetë mund të interpretohet si tregues se brenda partisë ende po zhvillohen negociata, kalkulime dhe harmonizime të brendshme. Në partitë politike, sidomos ato me strukturë të gjerë dhe me shumë figura me ndikim, përpilimi i listave shpesh shndërrohet në proces të ndërlikuar, sepse lidhet me balancat rajonale, grupet e interesit dhe ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm politikë”, potencoi ai.
Ndër të tjera, profesori paralajmëroi se mungesa e unitetit, mund ta penalizojë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit, pasi një gjë e tillë dëmton imazhin e partisë.
Madje, ai tha se sfida më e madhe e kësaj partie është prodhimi i një strategjie elektorale.
“Sa i përket ndikimit elektoral, çdo perceptim publik për mungesë uniteti mund të ketë pasoja në mobilizimin e votuesve. Elektorati zakonisht preferon parti që projektojnë stabilitet, qartësi dhe kohezion politik. Nëse debatet e brendshme vazhdojnë të dalin publikisht dhe nuk menaxhohen politikisht, ato mund ta dëmtojnë imazhin e PDK-së në prag të zgjedhjeve. Por, nëse partia arrin t’i kanalizojë këto dallime në një proces demokratik të brendshëm dhe të dalë me një ofertë të unifikuar politike, atëherë efekti negativ mund të zbutet.
Në politikë, uniteti nuk matet vetëm me mungesën e kritikave të brendshme, por me aftësinë e partisë për të ruajtur funksionalitetin politik dhe për të prodhuar një strategji të përbashkët elektorale. Pikërisht kjo do të jetë sfida kryesore e PDK-së në periudhën që vjen”, përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.
Burjani: Arsyet nuk janë vetëm politike; ka një varg arsyesh pse Limaj nuk është i dëshiruar brenda PDK-së
Kurse, sipas Blerim Burjanit, nuk beson se çështja e Limajt do thellojë përçarjet në këtë parti, pasi vlerëson se kjo çështje lidhet me disa çështje të kaluara, të cilat nuk janë bërë asnjëherë publike.

Blerim Burjani
“Jo, nuk ka ndonjë ndikim çështja Limaj, e cila është lidhur me disa çështje të tjera, të cilat as Hashimi më herët e as këta të gjithë asnjëherë nuk i kanë bërë publike. Arsyet nuk janë vetëm politike; ka një varg arsyesh pse Limaj nuk është i dëshiruar brenda PDK-së”.
Megjithatë, Burjani në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh i befasuar me refuzimin që PDK ia bëri Limajt.
Mirëpo, sipas tij, ky refuzim jep sinjal se pas kësaj çështje fshihet diçka shumë e madhe.
“Do të ishte mirë që Limaj të hynte në PDK, sepse me këtë PDK-ja do të rritej së paku 3.5%, por këtë e dinë vetë në PDK. Është shumë e çuditshme dhe kjo tregon se ka diçka të madhe, jo të vogël, si problem pse Limaj nuk lejohet të kthehet së paku në PDK dhe pastaj NISMA të shkrihet në PDK”.
Në fund, ai shtoi se, “kjo situatë dhe ky qëndrim i PDK-së është i pakuptimtë, i paarsyeshëm dhe kundër vetë PDK-së. Ky inat nuk ka si të sqarohet”.
