Profesori Fahri Mahalla ka apeluar për një marrëveshje politike mes partive lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke paralajmëruar se mungesa e kompromisit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Ai tha se partitë shqiptare mund të rrisin përqindjen në zgjedhje të rregullta nëse arrijnë marrëveshje për Presidentin, ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta dëmtonin më së shumti LDK-në.
“Partitë politike shqiptare të Kosovës tani e kanë shansin të rrisin përqindjen e tyre në zgjedhjet e rregullta, nëse bëjnë marrëveshje për zgjedhjen e Presidentes apo Presidentit të Kosovës. Nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, më së shumti do të humbasë në përqindje LDK-ja. LDK-ja tani e ka shansin për ta rritur përqindjen, por edhe partitë e tjera shqiptare. Ato parti shqiptare që duan të shkojnë në zgjedhje në këtë kohë, nuk ia duan të mirën Kosovës. E lusim Zotin që të mos shkohet në zgjedhje. I tërë populli i Kosovës dëshiron që të mos shkohet në zgjedhje dhe të gjendet një zgjidhje”, ka thënë ai.

Profesori Fahri Mahalla
Ai tha se pushteti dhe opozita duhet të sakrifikojnë për një marrëveshje për Presidentin, duke propozuar secila parti kandidatin e saj si zgjidhje të logjikshme për funksionimin normal të shtetit.
“Partia në pushtet dhe partitë në opozitë duhet të sakrifikojnë secila nga pak, për hir të Kosovës, që shteti i Kosovës të funksionojë normalisht me President. Zgjidhje ka për zgjedhjen e Presidentes apo Presidentit. LDK-ja ta propozojë vetëm Vjosa Osmanin. PDK-ja ta propozojë një kandidat. AAK-ja ta propozojë një kandidat, ashtu siç po kërkohet; kjo është një zgjidhje e logjikshme”, ka theksuar ai.
Në fund, Mahalla u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë që të veprojnë me përgjegjësi shtetërore dhe të shmangin krizën institucionale.
“Nëse veproni kështu, të gjithë do të jeni të respektuar dhe të nderuar nga populli. Nëse shkoni në zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë kohë të papërshtatshme, kur bota është e trazuar, e ju luftoni për karrika, ju deputetët e kësaj legjislature do të mbaheni mend ndër breza si deputetë jo të ndërgjegjshëm dhe jo kombëtarë — më thënë më qartë, jo normalë. Madje do të konsideroheni armiq të Kosovës, sepse interesin tuaj personal dhe atë partiak e vendosni mbi interesin e Kosovës; kjo është e turpshme dhe e pafalshme.
Shtetet mike të Kosovës do ta humbasin besimin te udhëheqësit e shtetit të Kosovës. Zoti i ndihmoftë përfaqësuesit e partive politike. Zoti i ndihmoftë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Mahalla.
