Lajme

Zulfaj: Integrimi në BE është punë e përbashkët e të gjitha institucioneve

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka theksuar se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një proces që kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve, ndërsa barra kryesore e koordinimit bie mbi strukturat e integrimit.

Në një postim në Facebook, Zulfaj tha se puna e përditshme e zyrtarëve të integrimit zhvillohet larg syrit të publikut dhe përfshin qindra e-maile, dhjetëra dokumente, telefonata dhe takime koordinuese ndërinstitucionale.

Ai bëri të ditur se ka zhvilluar një takim me zyrtarët e integrimit, të cilët i falënderoi për angazhimin e tyre, ndërsa diskutuan edhe për sfidat dhe mundësitë në procesin e integrimit evropian.

“Kapitali njerëzor është sfidë dhe mundësi njëkohësisht. Sfidë, pasi reformat kërkojnë staf të mirëpërgatitur që mbulon çdo sektor në 33 kapitujt e integrimit me BE-në, të cilët mbulojnë çdo fushë të jetës”, ka shkruar ai .

Ai theksoi se janë pikërisht reformat e përditshme, ligjet dhe aktet nënligjore të përafruara me ato të Bashkimit Evropian që sjellin transformim, forcojnë demokracisë, zhvillojnë vendin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Në fund, Zulfaj vlerësoi përkushtimin e zyrtarëve të integrimit, duke theksuar se shumica prej tyre janë përfitues të bursave për studime në fusha që lidhen me procesin e integrimit evropian.

Të Ngjashme