Aleanca Veriatlantike ka njoftuar më herët gjatë vitit planet për zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve që aktualisht shërbejnë në misionin paqeruajtës në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.
Mirëpo, për Zvicrën, duket se ky vendim nuk do të vlejë.
Shteti helvetik ka njoftuar se planifikon ta bëjë pikërisht të kundërtën, raporton Klankosova.tv.
Këtë e ka konfirmuar ambasadorja e Zvicrës në Serbi, Anne Elisabeth Lugon-Moulin, në një intervistë për median serbe, “CordMagazine”.
Ajo tha se Këshilli Federal Zviceran ka paraqitur një kërkesë në Parlament për të rritur numrin e ushtarëve, nga 215 në 300, kërkesë e cila, sipas saj, është aprovuar.
“Mandati [aktual i misionit Swisscoy] përfundon më 31 dhjetor, 2026, por Këshilli Federal i Zvicrës ka paraqitur një kërkesë te Parlamenti i Zvicrës për të mbajtur Swisscoy-n aktiv në Kosovë, e madhe edhe të rrisë kontingjentin tonë deri në 300 persona. Parlamenti e ka aprovuar këtë kërkesë në qershor. Kështu, Zvicra do ta rrisë prezencën e saj në Kosovë, e jo ta zvogëlojë”, deklaroi Lugon-Moulin.
Ajo potencoi se pozicioni i Zvicrës është që KFOR-i mbetet i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin.
Aktualisht, ambasadorja tha se personeli aktual ushtarak zviceran i vendosur në Kosovë përbëhet nga 215 persona.
