Lajme

61 me 0: Çfarë vendosi Kuvendi në seancën pa opozitë

Deputetët e PDK-së, LDK-së, Aleancës dhe Listës Serbe nuk ishin në sallë gjatë votimeve. Kurti paralajmëron rikthimin e Kodit Civil dhe fondet për ish-krerët e UÇK-së në buxhetin e vitit 2027.

Kuvendi i Kosovës e përmbylli të enjten seancën plenare me dy vendime të rëndësishme, të marra vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa partitë opozitare e lëshuan sallën.

Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Komisioni për buxhet, si raportues, kishte paraqitur 12 amendamente për këtë projektligj. Në votim ishin të pranishëm vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pa PDK-në, LDK-në, Aleancën dhe Listën Serbe.

Pas këtij votimi, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i mbylli punimet e seancës.

Dy anëtarë të rinj në Bordin e BQK-së

Më herët gjatë ditës, Kuvendi zgjodhi Bashkim Nurbojën dhe Nora Latifi-Jasharin anëtarë joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Ata u zgjodhën me votim të fshehtë, kryesisht me votat e mazhorancës.

Deputetët e PDK-së e lëshuan seancën pikërisht kur nisi shqyrtimi i kësaj pike, pa dhënë sqarime për arsyen. Në momentin e votimit, sallën e lëshuan edhe deputetët e LDK-së dhe të Aleancës.

Kurti: Kodi Civil rikthehet në Kuvend

Gjatë pyetjeve parlamentare, kryeministri Albin Kurti njoftoi se Kodi Civil do të rikthehet për shqyrtim në Kuvend. Sipas tij, grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme.

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kundërshtoi dispozitat për fertilizimin e asistuar dhe për ndryshimin e gjinisë në dokumentet e gjendjes civile. Kurti iu përgjigj se Kosova ka nevojë për reformë të së drejtës civile dhe i sugjeroi deputetit të lexojë të gjithë kodin, i cili sipas tij ka rreth 1,630 nene, e jo vetëm dy prej tyre.

Mbështetja për ish-krerët e UÇK-së në buxhetin e 2027-s

Kryeministri tha se mbështetja financiare për katër ish-krerët e UÇK-së që gjykohen në Hagë do të përfshihet në buxhetin e vitit 2027. Ai shtoi se më parë duhet të hartohet strategjia shtetërore e mbështetjes juridike dhe institucionale në procedurat e apelit. Për këtë, Qeveria ka themeluar një grup punues të udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë Glauk Konjufca.

Debate të tjera në seancë

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi që Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të sillet në Kuvend para afatit të planifikuar, 30 gushtit 2027. Ministri Andin Hoti u pajtua për rëndësinë e ligjit, por nuk dha afat të ri.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kërkoi nga Inspektorati Policor hetim të plotë për ndërhyrjen e Policisë në protestën e 5 tetorit, përfshirë zinxhirin komandues. Ajo paralajmëroi komision hetimor parlamentar nëse hetimi nuk jep rezultate.

Ramush Haradinaj deklaroi se siguria e Kosovës buron nga UÇK-ja dhe nga aleanca me SHBA-në dhe NATO-n.

Ndiqni të gjitha zhvillimet e seancës në live-in tonë 

Të Ngjashme