Sot e kësaj dite, krijimet e artistit Florian Kondi, i njohur si Dr. Flori, vazhdojnë të mbeten një pasqyrë e zhvillimeve sociale dhe politike në vend. Dymbëdhjetë vite pas ndarjes së tij nga jeta, mesazhet e përcjella në muzikën e tij u bëjnë ballë kohërave dhe godasin ende problemet e shoqërisë shqiptare.
Në vitin 2006, përmes këngës “Cerri”, ai përdori ironinë për të portretizuar të riun që përpiqet të ndërtojë identitetin përmes pamjes, parasë, mjeteve të luksit dhe një imazhi të huazuar. Personazhi i këngës synonte të duket i fortë, të zotëronte makinë, tatuazhe dhe të imitonte një stil jetese që nuk i përkiste. Sot, me zhvillimin e rrjeteve sociale, ky model është shumëfishuar në platformat virtuale, ku përpjekja për të reklamuar një status joreal është kthyer në përditshmëri.
Më vonë, në vitin 2013, me projektin “Zemërthyer”, ai shprehu zhgënjimin ndaj idealeve politike ku dikur kishte besuar. Në atë kohë, artisti e përmblidhte arsyen e krijimit me fjalët: “Zemërthyer, nga pazari që u bë me idealin”. Vargjet e këngës adresonin njerëzit që shkelin mbi parime dhe kthimin e gjithçkaje në pazar, duke u kthyer në një protestë personale.
Ndërkohë, që në vitin 2003, bashkë me grupin West Side Family, ai publikoi këngën “Tik Tak Tingujt e Jetës”. Në këtë krijim, Flori, Miri dhe Landi trajtuan tema si papunësia, mungesa e sigurisë dhe vështirësitë e jetesës. Teksti përfshinte thirrjen “Ne këndojmë për ju që ju të mos urreni” si dhe vargun “A më mirë a më keq, a më mirë do shkojë”, duke krijuar një kontrast mes realitetit të ashpër dhe shpresës për një të ardhme më të mirë.
Kujtojmë se në përvjetorin e tij të ndarjes nga jeta, Miri dhe Landi, e kujtuan mikun e tyre të ndjerë duke ndarë me publikun kujtime nga rrugëtimi i tyre i përbashkët muzikor.
