Harry Styles do të debutojë në festivalin Glastonbury si një nga artistët kryesorë të edicionit të vitit 2027, së bashku me Sam Fender dhe Billie Eilish, ndërsa Cher është konfirmuar për performancën e së dielës pasdite, në hapësirën e rezervuar për legjendat e muzikës.
Organizatorët zbuluan të mërkurën listën fillestare të artistëve pjesëmarrës në festival, i cili është planifikuar të mbahet në Worthy Farm, në Somerset të Anglisë, nga 23 deri më 27 qershor.
Fender do të jetë artisti kryesor në skenën Pyramid të premten, i ndjekur nga Styles të shtunën dhe Eilish të dielën, raportoi The Guardian.
Eilish ka qenë më parë artistja kryesore e festivalit në vitin 2022, kur u bë artistja më e re solo që kryesoi programin e tij. Edhe Fender performoi në skenën Pyramid atë vit, përpara performancës së saj.
Performanca e Cher të dielën pasdite, një hapësirë në program që shpesh konsiderohet jozyrtarisht si performanca e katërt kryesore e festivalit, do të jetë paraqitja e saj e vetme në një festival në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2027, sipas BBC-së.
Lista fillestare e artistëve përfshin gjithashtu Massive Attack, Little Simz, the xx, Lily Allen, Chase & Status, Ezra Collective dhe Kraftwerk.
Ndër artistët e tjerë të konfirmuar janë Sombr, Sienna Spiro, The Streets, Kacey Musgraves, Primal Scream, Adela, FKA twigs, Robyn, Underworld dhe The War on Drugs.
“Jemi jashtëzakonisht të emocionuar për mënyrën se si po merr formë gjithçka”, tha organizatorja e festivalit, Emily Eavis, në një deklaratë të cituar nga The Guardian.
Ajo tha se emra të tjerë do të bëhen të ditur gjatë vitit të ri.
Festivali Glastonbury rikthehet pas një viti pauzë në vitin 2026, si pjesë e ndërprerjeve periodike të festivalit për t’i dhënë kohë tokës bujqësore të rikuperohet.
Biletat u shitën të gjitha brenda 42 minutash muajin e kaluar, raportoi BBC.
Sipas faqes zyrtare të festivalit, biletat e hyrjes së përgjithshme kushtojnë 408 paund (537 dollarë), përfshirë një tarifë rezervimi prej 5 paundësh, ndërsa shpenzimet e postës dhe paketimit paguhen veçmas.
Organizatorët thanë se një rishitje e biletave të anuluara ose të kthyera do të zhvillohet në pranverën e vitit 2027, ndërsa pritet të njoftohen edhe artistë dhe atraksione të tjera.
