Lajme

A mund të parandalohej vrasja e Arlinda Zekajt? Rexhepi dhe Berisha kërkojnë llogaridhënie institucionale

Vrasja e Arlinda Zekajt ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje dështimet e mundshme institucionale në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ajo është gruaja e tetë e vrarë nga familjarët gjatë këtij viti në Kosovë dhe viktima e 67-të që nga viti 2010.

Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet e Kosovës, duke raportuar dhunë në familje dhe kërcënime nga bashkëshorti, nga i cili ishte ndarë. Megjithatë, më 25 tetor 2026, ajo u vra në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët nën shoqërimin e Policisë.

Rasti ka ngritur pikëpyetje të shumta për mënyrën se si institucionet e trajtuan situatën, masat që ndërmorën për mbrojtjen e saj dhe nëse një reagim më i shpejtë e më efektiv mund ta kishte parandaluar vrasjen.

Pas kësaj ngjarjeje, kërkesat për zbardhjen e përgjegjësive institucionale u shtuan, ndërsa Kuvendi i Kosovës themeloi një Komision Hetimor Parlamentar, me detyrë të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.

Komisioni u miratua me 90 vota për dhe përbëhet nga 11 anëtarë, me mandat deri në gjashtë muaj. Kryetar i tij u zgjodh Burim Ramadani, ndërsa nënkryetar Adnan Rrustemi.

Mandati i Komisionit përfshin hetimin e përgjegjësive institucionale në rastin e Arlinda Zekajt, si dhe shqyrtimin e mënyrës se si institucionet e trajtojnë dhunën ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

A mund të parandalohej vrasja e Arlinda Zekajt nëse institucionet do të vepronin me kohë? Kjo është një nga pyetjet kryesore që pritet të marrë përgjigje gjatë punës së Komisionit Hetimor, i cili synon të identifikojë përgjegjësitë konkrete dhe të propozojë masa për parandalimin e rasteve të ngjashme. Raporti përfundimtar do t’i paraqitet Kuvendit në përfundim të punës së Komisionit.

Rexhepi: Problemi më i madh mbetet zbatimi i pamjaftueshëm i ligjeve në praktikë dhe politika e butë ndëshkimore ndaj dhunuesve

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Komisionit Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, Emilija Rexhepi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka theksuar se dhuna ndaj grave mbetet një problem serioz shoqëror, i ndikuar edhe nga mentaliteti patriarkal.

Image
Emilija Rexhepi

Ajo ka bërë të ditur se hetimi parlamentar do të nisë nga Qendra për Punë Sociale dhe Policia, për të vazhduar më pas te koordinatorët për mbrojtjen nga dhuna në familje, prokurorët dhe gjyqtarët, me qëllim të identifikimit të përgjegjësive institucionale.

Rexhepi ka theksuar se është ende herët për të përcaktuar se ku ka dështuar sistemi, ndërsa ka vlerësuar se problemi kryesor në Kosovë mbetet zbatimi i ligjeve në praktikë dhe politika e butë ndëshkimore ndaj dhunuesve.

“Dhuna ndaj grave nuk është vetëm një problem institucional, por edhe një problem serioz i shoqërisë sonë. Jetojmë në një shoqëri ku modelet patriarkale janë ende të pranishme, ndërsa burrat duhet ta kuptojnë se gruaja ka të drejtë të barabartë të marrë vendime në mënyrë të pavarur dhe të vendosë për jetën e saj. Askush nuk ka të drejtë t’ia kufizojë këtë liri, e aq më pak përmes dhunës.

Sa i përket punës së Komisionit Hetimor Parlamentar, një pjesë e deputetëve konsiderojnë se përcaktimi i përgjegjësisë duhet të fillojë nga Qeveria dhe të vazhdojë drejt niveleve më të ulëta institucionale. Qëndrimi im është disi ndryshe. Konsideroj se hetimi duhet të zhvillohet nga poshtë lart, përkatësisht duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, pastaj Policia, e cila ndërhyn e para në vendin e ngjarjes, koordinatorët për mbrojtjen nga dhuna në familje, prokurorët dhe gjyqtarët, e deri te nivelet më të larta institucionale.

Në këtë mënyrë mund të përcaktojmë më saktë se kush ka vepruar, kur dhe si ka vepruar, nëse institucionet përgjegjëse kanë reaguar me kohë dhe nëse ka pasur lëshime eventuale. Tashmë u kemi dërguar kërkesa institucioneve të përmendura që të përgatisin dhe të na dorëzojnë të gjithë dokumentacionin që posedojnë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, ndërsa njëkohësisht kemi shpallur edhe thirrje për angazhimin e ekspertëve që do të na ndihmojnë në këtë proces.

Duke qenë se jemi ende në fazën fillestare të hetimit, do të ishte e papërgjegjshme të deklaroja paraprakisht se cila hallkë e sistemit ka dështuar apo cilat masa konkrete duhet të korrigjohen. Pikërisht detyrë e Komisionit tonë është që, në bazë të dokumentacionit, fakteve dhe deklaratave të personave përgjegjës, të përcaktojë se çfarë ka ndodhur dhe të propozojë masat përkatëse.

Konsideroj se Kosova ka një kornizë të mirë ligjore për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e grave, në hartimin e së cilës kam marrë pjesë edhe personalisht. Megjithatë, problemi më i madh mbetet zbatimi i pamjaftueshëm i ligjeve në praktikë, si dhe politika ndëshkimore, e cila, sipas mendimit tim, është tepër e butë ndaj dhunuesve dhe autorëve të vrasjeve”, tha deputetja Rexhepi.

Në përmbyllje, Rexhepi ka kërkuar angazhim më serioz institucional në parandalimin e dhunës ndaj grave, zbatim të masave mbrojtëse dhe më shumë investime në edukimin e brezave të rinj për barazi dhe respekt të ndërsjellë.

Ajo ka theksuar se gratë duhet të mbrohen sa janë gjallë dhe se drejtësia nuk duhet të kërkohet vetëm pasi ato të jenë vrarë.

“Numri i madh i grave të vrara gjatë viteve të fundit, ndërsa vetëm gjatë muajit tetor kemi pasur tri raste të tilla, na obligon që t’i qasemi shumë më seriozisht vlerësimit të rrezikut, zbatimit të përpiktë të masave mbrojtëse dhe përcaktimit të përgjegjësisë së të gjitha institucioneve që kanë për detyrë t’i mbrojnë viktimat e dhunës.

Njëkohësisht, duhet të investojmë shumë më tepër në edukimin dhe arsimimin e të rinjve, duke filluar nga vetë familjet, ku prindërit shpesh bëjnë dallime ndërmjet fëmijëve djem dhe vajza, pastaj në mjedisin ku jetojmë, në shkollat fillore dhe të mesme, e deri te procesi i punësimit të grave në institucione. Fëmijët duhet të edukohen në frymën e respektit të ndërsjellë, barazisë, zgjidhjes së konflikteve pa dhunë dhe të kuptojnë se askush nuk ka të drejtë të kontrollojë jetën e një personi tjetër.

Në fund, dëshiroj të përcjell këtë mesazh: Grave u duhet mbrojtje sa janë gjallë, e jo drejtësi vetëm pasi një burrë ua merr jetën”, përfundoi ajo.

Berisha: Në rastin e Arlindës kemi të bëjmë me dështimin e disa institucioneve që kishin përgjegjësi konkrete për mbrojtjen e viktimës dhe fëmijës

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në një përgjigje për “Bota sot”, ka vlerësuar se në rastin e Arlinda Zekajt nuk dështoi vetëm një hallkë e sistemit, por disa institucione që kishin përgjegjësi konkrete për mbrojtjen e viktimës dhe fëmijës.

Image
Adelina Berisha

Ajo ka theksuar se Qendra për Punë Sociale duhet të japë llogari për mënyrën e intervistimit të fëmijës, Prokuroria për trajtimin e rastit, Gjykata për masën e shqiptuar të mbrojtjes, ndërsa Policia për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut.

Sipas Berishës, secili institucion duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tij, pasi mbrojtja e viktimës nuk mund të mbetet vetëm një procedurë formale, por duhet të garantojë siguri reale.

“Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me dështimin e një hallke të vetme, por me dështimin e disa institucioneve që kishin përgjegjësi konkrete për mbrojtjen e viktimës dhe fëmijës.

Qendra për Punë Sociale duhet të japë llogari për mënyrën se si është intervistuar fëmija dhe për mosrespektimin e dispozitave ligjore që rregullojnë intervistimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në rastet e dhunës në familje. Intervistimi i një fëmije nuk mund të trajtohet si një procedurë formale. Mënyra se si merret deklarata dhe si vlerësohet informacioni i dhënë nga fëmija mund të jetë vendimtare për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e tij.

Prokuroria ka përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti. Nëse një rast i dhunës në familje dhe informacionet për rrezikun nuk janë trajtuar konform kërkesave ligjore, atëherë kemi një dështim serioz institucional. Prokuroria nuk mund të kufizohet vetëm në trajtimin formal të një rasti, por duhet të sigurohet që të gjitha veprimet e nevojshme ligjore të ndërmerren në kohë, veçanërisht kur ekzistojnë indikacione për përkeqësim të situatës dhe rrezik për jetën e viktimës.

Gjykata gjithashtu ka përgjegjësi për masën e aprovuar. Në një rast ku ekziston rrezik për viktimën, është tejet shqetësuese që urdhri për mbrojtje të përcaktojë vetëm dy metra distancë mes viktimës dhe personit ndaj të cilit është shqiptuar masa. Një urdhër mbrojtjeje duhet të jetë masë reale sigurie, jo thjesht një vendim formal që plotëson një procedurë.

Policia ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vlerësimin e rrezikut. Vlerësimi i rrezikut nuk mund të jetë një formular që plotësohet dhe arkivohet. Ai duhet të përcaktojë se sa i rrezikshëm është rasti, cilat masa duhet të ndërmerren dhe sa urgjente është mbrojtja e viktimës. Kur ka shenja të përkeqësimit të dhunës, kërcënime, shkelje të masave apo faktorë të tjerë të rrezikut, këto duhet të ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e mbrojtjes.

Pra, në këtë rast duhet të kërkohet përgjegjësi nga secila hallkë: nga QPS-ja për mënyrën e trajtimit të fëmijës, nga Prokuroria për trajtimin e rastit, nga Gjykata për masën e aprovuar të mbrojtjes dhe nga Policia për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut”, deklaroi ajo.

Berisha ka theksuar se për të parandaluar raste të tilla, institucionet duhet të përmirësojnë vlerësimin e rrezikut, të garantojnë llogaridhënie dhe të sigurojnë monitorimin dhe zbatimin real të urdhrave mbrojtës.

Ajo ka nënvizuar se rreziku ndaj viktimave duhet të trajtohet si kërcënim për jetën dhe jo si një procedurë administrative.

“Duhet të ndryshojë mënyra se si trajtohet rreziku. Vlerësimi duhet të jetë dinamik, të përditësohet sa herë që paraqiten informacione të reja dhe të ketë pasoja konkrete në masat e mbrojtjes.

Duhet të ketë gjithashtu llogaridhënie për secilin institucion. Kur një polic nuk e vlerëson si duhet rrezikun, kur Prokuroria nuk e trajton rastin konform ligjit, kur Gjykata vendos një masë që nuk ofron mbrojtje reale apo kur QPS-ja nuk i respekton procedurat ligjore në trajtimin e fëmijës, nuk mund të mjaftohemi me konstatimin se ‘sistemi dështoi’. Duhet të identifikohet se kush nuk e kreu detyrën, pse nuk e kreu dhe çfarë masash merren që kjo të mos përsëritet.

Urdhrat mbrojtës duhet të monitorohen dhe zbatohen realisht. Viktima nuk mund të lihet vetëm me një vendim gjykate në dorë dhe me shpresën se personi i dhunshëm do ta respektojë atë.

Dhe mbi të gjitha, institucionet duhet të fillojnë ta trajtojnë rrezikun si rrezik për jetën, jo si një procedurë administrative.

Rasti i tetë nuk duhet të jetë thjesht një numër tjetër në statistikat e grave të vrara. Duhet të jetë një alarm për secilin institucion që ka pasur mundësi të ndërhyjë”, përmbylli ajo.

Të Ngjashme