Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar një diskutim me ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, lidhur me partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe çështjet që prekin Kosovën dhe rajonin më të gjerë.
Përmes një postimi në Facebook, Hargreaves ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për rolin e rëndësishëm të Grupit Punues për Strategjinë Shtetërore për Procesin e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas ambasadorit britanik, ky grup ka rëndësi në sigurimin që Kosova të mbetet e përkushtuar ndaj obligimeve të saj ekzistuese ndërkombëtare dhe të vazhdojë të respektojë sundimin e ligjit.
“Një diskutim i vlefshëm me ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, për partneritetin Britani e Madhe-Kosovë dhe çështjet me të cilat përballet Kosova dhe rajoni më i gjerë.
Diskutuam gjithashtu për rolin e rëndësishëm të Grupit Punues për Strategjinë Shtetërore për Procesin e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në sigurimin që Kosova të mbetet e përkushtuar ndaj obligimeve të saj ekzistuese ndërkombëtare dhe të vazhdojë të respektojë sundimin e ligjit”, ka shkruar Hargreaves.
