Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër rezulton ende i zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi një pallat pesëkatësh në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë 8 persona janë në spital duke marrë ndihmë mjekësore, mes tyre dhe fëmijë.
Kastriot Skënderaj, drejtor i policisë Elbasan, ka dhënë detaje të reja nga vendngjarja, duke zbuluar se shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të rënda në strukturën e ndërtesës.
Sipas tij, kati i katërt i pallatit është shembur mbi katin e tretë, ndërsa zjarri që përfshiu fillimisht këtë të fundit është përhapur edhe në katet e tjera.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e flakëve, ndërsa operacioni është përqendruar edhe në kërkimin e personave që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Sipas informacioneve të dhëna nga zjarrfikësit, viktima është gjetur në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa një i moshuar rezulton ende i pagjetur.
“Bëhet fjalë për një pallat pesëkatësh. Ka dëmtime të strukturës së pallatit. U shemb kati i katërt, i cili ra mbi katin e tretë.
Morëm masa për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, që fillimisht ishte në katin e tretë dhe më pas u përhap në katet e tjera. Viktima u gjet në katin e pestë, ndërsa një i moshuar ende nuk është gjetur”, kanë bërë të ditur shërbimet zjarrfikëse.
