Lajme

Arrestohen tetë persona në Graçanicë, dyshohen për cenim të votës së lirë dhe ryshfet

Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se tetë persona janë arrestuar në Graçanicë nën dyshimin për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor.

Sipas komunikatës së përbashkët, shtatë persona janë arrestuar më 19 maj 2026 për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik.

Ndërkaq, më 4 qershor 2026 është arrestuar edhe një person tjetër në të njëjtën komunë, nën dyshimin për marrje dhe dhënie ryshfeti në lidhje me votimin.

Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se gjatë javëve të fundit kanë trajtuar informacione të shumta që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.

Sipas institucioneve, hetimet dhe monitorimi i aktiviteteve që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 janë duke vazhduar.

Në komunikatë u bëhet thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo ndërhyrjeve të kundërligjshme në procesin zgjedhor.

Të Ngjashme