Shumë vite më parë, hoqa dorë nga konsumimi i alkoolit për një muaj dhe isha aq e impresionuar me veten, saqë ndjeva sikur kisha zbuluar sekretin e Kodit të Da Vinçit. Sigurisht, sapo përfunduan 30 ditët arbitrare, u ktheva menjëherë te modeli im normal i konsumimit të alkoolit, “shumicën e netëve”.
Nuk mendova më për këtë derisa, shtatë vjet më parë, një kombinim i dhimbjeve të vazhdueshme të kokës dhe skuqjes së fytyrës gjatë perimenopauzës më shtyu të hiqja dorë. Që atëherë, mezi kam pirë alkool.
Me “Sober October” pothuajse këtu, vëmendja po rikthehet te alkooli. Alcohol Change UK vlerëson se 24 për qind e të rriturve në Angli dhe Skoci konsumojnë rregullisht alkool mbi udhëzimet e qeverisë për nivelin me rrezik të ulët, ndërsa 27 për qind e personave që konsumojnë alkool në Britaninë e Madhe bëjnë pirje të tepruar në ditët kur konsumojnë më shumë alkool (më shumë se tetë njësi për burrat dhe gjashtë për gratë). Në vitin 2024, shifrat qeveritare regjistruan 9,809 vdekje nga shkaqe specifike të lidhura me alkoolin në Mbretërinë e Bashkuar.
Studime të panumërta kanë treguar lidhje midis konsumimit të tepërt të alkoolit dhe kancerit, insuficiencës kardiake dhe diabetit, ndër probleme të tjera kronike shëndetësore.
Nuk është çudi, pra, që kaq shumë prej nesh po rishqyrtojnë zakonet e konsumimit të alkoolit. Por a bën vërtet ndonjë ndryshim një muaj pa alkool për shëndetin e përgjithshëm apo personat që pinë rregullisht thjesht po e fshehin problemin, pa përfitime të dukshme?
Cilat janë efektet e alkoolit në shëndet?
Konsumimi afatgjatë i alkoolit dihet se:
– Ndikon në cilësinë e gjumit
– Përkeqëson mirëqenien mendore
– Rrit presionin e gjakut
– Rrit rrezikun e disa sëmundjeve, si sëmundjet kardiovaskulare, obeziteti dhe kanceri
Një muaj pa alkool mund të jetë i dobishëm jo vetëm për shëndetin fizik, thotë Dr Catherine Carney nga klinika e rehabilitimit Delamere në Cheshire.
“Alkooli mund të ndikojë gjithashtu në cilësinë e gjumit, kështu që do të keni më shumë energji”, thotë Dr Carney. “Konsumimi i rregullt dhe i tepërt i alkoolit mund të ketë gjithashtu një efekt të dëmshëm në mirëqenien mendore. Ndërsa 56 për qind e britanikëve thonë se konsumojnë alkool për t’u çlodhur, ky është vetëm një lehtësim i përkohshëm dhe në përgjithësi mund ta lërë mirëqenien tuaj mendore në një gjendje më të keqe.”
Sa i përket shëndetit fizik, “pirja e sasive të mëdha të alkoolit për një periudhë të gjatë mund ta rrisë presionin e gjakut në nivele jo të shëndetshme”, thotë Dr Carney, “dhe të çojë në më shumë komplikacione shëndetësore në të ardhmen. Kur hiqni dorë nga alkooli, presioni i gjakut do të ulet, gjë që mund të ndihmojë në parandalimin e insuficiencës kardiake, goditjeve në tru dhe infarkteve të zemrës.”
Megjithatë, ajo paralajmëron se të “provosh” se mund të heqësh dorë nga alkooli për disa javë nuk nënkupton domosdoshmërisht një marrëdhënie të shëndetshme me alkoolin. “Kjo nxit një mënyrë negative të të menduarit, sipas së cilës, nëse dikush mund të qëndrojë pa alkool për atë periudhë, kjo do të thotë se nuk ka një marrëdhënie të rrezikshme me të, kur në fakt mund të ketë problem me përdorimin e një substance”, thotë ajo. “Personat që pinë shumë mund ta përdorin këtë muaj pa alkool si justifikim për të abuzuar me alkoolin gjatë pjesës tjetër të vitit.”
Një rivendosje e plotë
Për disa njerëz, megjithatë, një muaj pushim nga alkooli është fillimi i një rivendosjeje të plotë. Lucy Baker, 46 vjeç, trajnere e vetëbesimit nga Lincolnshire, hoqi dorë nga alkooli për disa javë në vitin 2022 dhe, si rezultat, e ndryshoi plotësisht mënyrën e konsumimit të tij.
“Punova në industrinë e reklamave dhe për 18 vjet jeta ime shoqërore ishte e përqendruar te alkooli ishte thjesht normaliteti”, thotë ajo.
Përpjekjet jo shumë serioze për të reduktuar konsumin përballeshin me këmbënguljen e miqve: “Hajde, pi vetëm një…”
“Hoqa dorë kur mbeta shtatzënë, por më pas iu ktheva konsumimit të alkoolit në shoqëri”, thotë ajo. Gjërat ndryshuan gjatë një pushimi në Ibiza. “Takova një mik të vjetër me të cilin kisha pirë dikur dhe ai më tha se tani ishte i kthjellët. Kjo më preku shumë. Kur u ktheva në shtëpi, mendova: ‘Pse vazhdoj të pi?’”
Lucy vendosi të ndalonte për një muaj. “Fillova të ndihesha vërtet mirë. Nuk pija shumë në shtëpi, por zgjodha të mos pija as kur dilja. Shkova në një festë para dasmës dhe piva tonik, si dhe në disa aktivitete pune pa pirë gota të mëdha me verë të bardhë. Të mos shqetësohesha nëse do të zgjohesha me dhimbje koke nga hangover-i ishte aq mirë, saqë më befasoi.”
Tani Lucy pi shumë rrallë dhe gjithashtu ka më shumë energji. “Po shkoj më shpesh në palestër. Nuk më mungon, sidomos hangover-i. Dhjetë vjet më parë do të kisha menduar: ‘Pse po e bën këtë?’”
Përfitimet shëndetësore të një muaji pa alkool
Dr Ross Perry, mjek i përgjithshëm, rendit përfitimet e një muaji pa alkool. “Pas pijes së fundit, mëlçia fillon të punojë më shumë dhe pankreasi fillon të prodhojë insulinë shtesë”, thotë ai. “Është e rëndësishme të pini shumë ujë, pasi trupi juaj do të nxjerrë toksinat përmes mëlçisë dhe veshkave, kështu që do të shkoni më shpesh në tualet.”
Nëse nuk ndiheni menjëherë më mirë, shton ai, “mund të duhen deri në 72 orë para se të ndiheni mendërisht dhe fizikisht ‘normal’”.
Pas dy javësh, “ka gjasa të shihni një rënie të peshës trupore, reduktim të qeskave poshtë syve dhe shumë më pak fryrje të përgjithshme rreth stomakut, si dhe lëkurë më të pastër”, vazhdon ai. “Pas tre javësh, presioni i gjakut mund të ulet. Pas një muaji, lëkura dhe sytë do të duken më të ndritshëm dhe më të pastër yndyra në mëlçi reduktohet deri në 15 për qind, duke rritur aftësinë e saj për të eliminuar toksinat.”
Sëmundjet e lehta të mëlçisë, si mëlçia e dhjamosur, mund të kthehen plotësisht në gjendje normale me kalimin e kohës nëse një person ndalon plotësisht së konsumuari alkool [koha që kjo kërkon do të varet nga gjendja e mëlçisë dhe mosha e personit], përfundon ai. “Kur nuk ka alkool në gjakun tuaj për disa muaj, shpesh qelizat e mëlçisë mund të riparohen gradualisht dhe të kthehen në gjendje normale.”
Shumica prej nesh mendojnë se pimë “në mënyrë të moderuar”, por Sean Gay, këshilltar dhe autor i librit Sober on a Drunk Planet, zbuloi se konsumimi i tij i alkoolit kishte dalë jashtë kontrollit dhe ndaloi së piri në moshën 31-vjeçare.
“Shoqëria na ka kushtëzuar të besojmë se pirja dhe hangover-i janë ‘argëtuese’”, thotë ai. “Por për shumë njerëz, kuletat bosh, mëngjeset me dridhje dhe ankthi janë shumë larg të qenit të tilla.”
Sean beson se “shumë njerëz e kanë kaluar të gjithë moshën e rritur duke përdorur alkoolin si ndihmë emocionale kështu që vetëm një muaj pushim nuk do të zhbëjë papritur të gjitha problemet fizike, mendore, emocionale dhe financiare të shkaktuara nga përdorimi i alkoolit, të cilin mund ta kenë përdorur që nga vitet e adoleshencës”.
Për të, ashtu si edhe për shumë të tjerë, “alkooli është depresant, ndaj nuk është çudi që hangover-i dhe depresioni shkojnë krah për krah”, shton ai. “Alkooli gjithashtu çliron kortizol, hormonin e stresit, në organizmin tonë. Një natë e vetme me shumë alkool mund ta lërë kortizolin në trupin tonë për plot shtatë ditë.”
Ankthi im u përmirësua në mënyrë dramatike brenda një jave pasi hoqa dorë nga alkooli. Nuk mund të pretendoj se humba peshë (sepse i zëvendësova kaloritë me ushqime të shpejta) por fjeta më mirë pothuajse menjëherë. Tani, humori im është më i qëndrueshëm, dhimbjet e kokës janë zhdukur dhe fytyra ime nuk skuqet më.
Sa kohë duhet për të vënë re përfitimet shëndetësore?
“Përfitimi kryesor i një muaji pa alkool është ndërprerja e një zakoni”, thotë Abbas Kanani, farmacist në Chemist Click. “Duhen rreth 30 ditë për të krijuar një zakon, kështu që të mos pish për katër ose pesë javë mund të të ndihmojë të ndalosh.” Por në planin afatgjatë, paralajmëron ai, nëse ktheheni te zakonet e mëparshme, është sikur të ktheheni në pikën zero. “Tridhjetë ditë pa pirë nuk janë mjaftueshëm për të përmbysur ndonjë dëmtim afatgjatë. Nëse i ktheheni menjëherë konsumimit të alkoolit, atëherë gjithë kjo do të ketë qenë humbje kohe.”
Shumica e njerëzve mund të mos heqin dorë përgjithmonë. Por për këdo që shqetësohet për shëndetin, financat ose ndryshimet e humorit, një muaj pa alkool është mundësia e përsosur për të bërë një hap pas dhe për të rivendosur marrëdhënien me alkoolin ndoshta përgjithmonë./TheTelegraph
