5
Çokollata është një nga ushqimet më të preferuara në botë dhe prej kohësh është quajtur “ushqimi i perëndive”. Përveç shijes së saj të veçantë, konsumimi i moderuar i çokollatës mund të sjellë një sërë përfitimesh për shëndetin.
Ekspertët theksojnë se kakaoja, përbërësi kryesor i çokollatës, është e pasur me flavonoide, një lloj antioksidanti që ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi i kakaos mund të kontribuojë në uljen e presionit të gjakut dhe në zvogëlimin e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë sulmet në zemër dhe goditjet në tru.
Përfitimet nuk ndalen këtu. Çokollata e zezë mund të ndikojë pozitivisht edhe në funksionin e trurit, duke përmirësuar kujtesën, përqendrimin dhe procesin e të mësuarit falë rritjes së qarkullimit të gjakut në tru.
Gjithashtu, antioksidantët që gjenden në kakao ndihmojnë sistemin imunitar dhe përshpejtojnë rikuperimin e muskujve pas aktivitetit fizik. Për më tepër, kakaoja përmban substanca natyrale që stimulojnë prodhimin e serotoninës, hormonit të lumturisë, duke ndikuar pozitivisht në humor.
Specialistët rekomandojnë zgjedhjen e çokollatave që përmbajnë të paktën 50 për qind kakao. Sa më e lartë të jetë përqindja e kakaos, aq më i madh është përqendrimi i flavonoideve dhe përfitimeve shëndetësore. Nga ana tjetër, produktet shumë të përpunuara mund të kenë humbur një pjesë të konsiderueshme të antioksidantëve gjatë procesit të prodhimit.
E konsumuar me masë, çokollata mund të jetë jo vetëm një kënaqësi për shijen, por edhe një aleate e mirë për shëndetin.
ks
