Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, po përjeton një sukses të ri me albumin e saj më të fundit “Dirty Blonde”, i cili ka debutuar si albumi i tretë më i dëgjuar në Spotify në rang global.
Lajmi është publikuar nga vetë platforma Spotify përmes një postimi në Instagram, ku janë renditur 10 albumet debutuese më të dëgjuara në botë për periudhën 12–14 qershor.
Në krye të listës qëndron albumi “You Seem Pretty Sad for a Girl So in Love”, i ndjekur nga “Withness” i ANOTR në vendin e dytë, ndërsa “Dirty Blonde” i Bebe Rexhës pozicionohet në vendin e tretë, duke konfirmuar rikthimin e fuqishëm të artistes në skenën ndërkombëtare.
Suksesi i projektit nuk është kufizuar vetëm në nivel global. Në klasifikimin e albumeve debutuese më të dëgjuara në Shtetet e Bashkuara, Bebe Rexha renditet në vendin e shtatë, duke dëshmuar interesin e madh të publikut për albumin e saj të ri.
“Dirty Blonde” është albumi i katërt në karrierën e saj dhe projekti i parë si artiste e pavarur, pas ndarjes me shtëpinë e mëparshme diskografike në vitin 2025.
Albumi përmban 13 këngë dhe ka sjellë tashmë disa prej projekteve më të komentuara të momentit. Mes tyre spikat “New Religion”, bashkëpunimi me grupin elektronik legjendar Faithless, i cili është pritur pozitivisht nga publiku dhe kritika.
Po ashtu, pjesë e albumit është edhe bashkëpunimi me DJ-in francez me famë botërore David Guetta, i titulluar “Sad Girls”, i cili po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në platformat muzikore.
Me këtë debutim të suksesshëm në Spotify, Bebe Rexha konfirmon edhe një herë statusin e saj si një nga emrat më të rëndësishëm të industrisë muzikore ndërkombëtare, duke forcuar pozitat e saj në tregun global.
