Mbremja e djeshme shënoi një moment emocional për skenën muzikore shqiptare.
Grupi West Side Family u ngjit sërish në skenë me një formacion të plotë, duke rikthyer treshen historike pas shumë vitesh. Ky moment i veçantë u shndërrua në një festë të muzikës dhe nostalgjisë, pasi pranë Landit dhe Mirit, u shfaq edhe silueta e paharrueshme e Dr. Florit të ndjerë.
Kjo mrekulli skenike u bë e mundur përmes teknologjisë inovative të hologramit 3D. Silueta dhe zëri i papërsëritshëm i kantautorit u projvektua me mjeshtëri pranë kolegëve të tij, siç shihet edhe në imazhet e shpërndara masivisht në rrjetet sociale.
Performanca e tij me veshje plotësisht të bardha krijoi një iluzion të bukur dhe prekës, sikur Dr. Flori po këndonte live me grupin, duke rikthyer magjinë e dikurshme.
Reagimi i publikut ishte i jashtëzakonshëm, i mbushur me emocione dhe duartrokitje. Fansat nga nostalgjia, e përjetuan këtë si një rikthim të vërtetë. Komentet në rrjetet sociale ishin të shumta, duke përsëritur të gjithë të njëjtën frazë: “Legjendat nuk vdesin kurrë” – një mesazh që u theksua edhe në përshkrimet e videove të shpërndara nga kjo mbrëmje.
Kjo ngjarje nuk ishte thjesht një koncert, por një homazh i fuqishëm për trashëgiminë e paçmueshme muzikore që Dr. Flori la pas.
View this post on Instagram
