Kuriozitete

Ekipi kërkimor – Fosili i një maceje me dhëmbë shpatë 2.5 milionë vjeçare, zbulohet në një muze turk

Një fosil i mbajtur në një muze në Turqinë jugperëndimore për dekada të tëra, është identifikuar si mbetjet e një maceje me dhëmbë shpatë që jetoi afërsisht 2.5 milion vjet më parë, thanë studiuesit.

Fosili, i zbuluar pranë fshatit Yakakoy në vitin 1989 dhe i ruajtur në Muzeun e Historisë Natyrore Burdur, i përket Homotherium latidens, një specie e zhdukur e maces së madhe grabitqare.

Një ekip kërkimor i udhëhequr nga Alper Yener Yavuz, një profesor i asociuar i antropologjisë në Universitetin Burdur Mehmet Akif Ersoy, filloi të shqyrtonte fosilin në vitin 2023.

Analizat gjeologjike dhe antropologjike zbuluan se ekzemplari, i cili ka një nofull kryesisht të paprekur, është fosili më i plotë i maces me dhëmbë shpatë i identifikuar në Anadoll, pjesën aziatike të Turqisë së sotme, tha Yavuz për Anadolu.

Studiuesit e datuan fosilin afërsisht 2.5 milion vjet më pare, duke përdorur metoda gjeologjike dhe faunistike të datimit.

Kafsha ishte rreth 1.2 metra e gjatë te shpatulla dhe matte afërsisht 2 metra nga koka te bishti, duke e bërë atë pak më të vogël se një luan modern, por më të madh se një jaguar, tha Yavuz.

Ndryshe nga grabitqarët e pritës, specia ishte përshtatur për të ndjekur prenë, me një zgavër hundore më të gjerë që i lejonte asaj të merrte oksigjen në mënyrë më efikase gjatë vrapimit, shpjegoi ai.

“Përfshirë studimin tonë, deri më tani në Turqi njihen vetëm katër ekzemplarë të këtij lloji”, tha Yavuz.

Studiuesit tani planifikojnë studime të mëtejshme në terren në Burdur dhe në provincën fqinje Isparta, për të zbuluar më shumë prova të së kaluarës prehistorike të rajonit./ AA.

Të Ngjashme