Bota

Europa përballet me një alarm. Ka vetëm 6 javë karburant për avionët, rrezikohen fluturimet

Një paralajmërim i fortë vjen nga zemra e sektorit energjetik global dhe mund të prekë drejtpërdrejt udhëtimet ajrore në Europë. Kontinenti ka “ndoshta edhe gjashtë javë” rezerva karburanti për avionë, ndërsa anulimet e fluturimeve mund të nisin shumë shpejt nëse kriza vazhdon.

Kështu u shpreh drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, i cili e cilësoi situatën si “kriza më e madhe energjetike që kemi përjetuar ndonjëherë”. Sipas tij, shkaku kryesor është bllokimi i furnizimeve me naftë dhe gaz përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe nga ku kalon rreth 20% e energjisë botërore.

Pasojat pritet të jenë të menjëhershme dhe të ndjeshme për qytetarët: rritje e çmimeve të karburantit, gazit dhe energjisë elektrike, ndërsa vendet më të goditura fillimisht janë ato aziatike që varen nga Lindja e Mesme. Megjithatë, sipas Birol, efekti domino do të mbërrijë shumë shpejt edhe në Europë dhe në Amerikë.

“Nëse situata vazhdon, së shpejti do të dëgjojmë për anulime fluturimesh nga një qytet në tjetrin për shkak të mungesës së karburantit për avionë,” paralajmëroi ai.

Ndërkohë, në horizont shfaqen sinjale shprese për një zgjidhje diplomatike. Po shtohet optimizmi se lufta në Lindjen e Mesme mund të jetë pranë fundit, me ndërmjetësim nga Pakistani dhe përfshirjen e administratës së Presidentit amerikan Donald Trump.

Izraeli ka diskutuar mundësinë e një armëpushimi me Libanin pas më shumë se gjashtë javësh përplasje me Hezbollahun, ndërsa priten bisedime mes liderëve të dy vendeve. Paralelisht, Irani ka lënë të kuptohet se mund të lejojë kalimin e lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, nëse arrihet një marrëveshje me SHBA.

Nëse kjo ndodh, tensionet mund të ulen dhe tregjet energjetike të marrin frymë. Në të kundërt, Europa mund të përballet me një verë të vështirë, ku udhëtimet ajrore dhe kostot e jetesës do të goditen drejtpërdrejt.

/tiranapost

Të Ngjashme