LifeStyle

Familja përgatitet për vdekjen e aktorit të mirënjohur Bruce Willis, dhe merr vendimin e vështirë

Familja e aktorit të njohur Bruce Willis ka vendosur që, pas vdekjes së tij, truri i aktorit t’i vihet në dispozicion komunitetit shkencor, me synimin për të ndihmuar në avancimin e studimeve mbi demencën frontotemporale, sëmundjen neurodegjenerative nga e cila ai vuan.

Vendimi është marrë nga bashkëshortja e tij, Emma Heming, pas konsultimeve me vajzat e tyre dhe ish-bashkëshorten e aktorit, Demi Moore. Ajo e ka rrëfyer historinë dhe arsyet e këtij vendimi në librin e saj, ‘The Unexpected Journey’ (Një udhëtim i papritur), ku përshkruan edhe përballjen e familjes me sëmundjen e Willis.

Në libër, Heming shpjegon se bëhet fjalë për një zgjedhje tejet të vështirë nga ana emocionale, por që mund të ketë rëndësi për kërkimin shkencor. Përmes dhurimit, studiuesit do të mund të analizojnë ndryshimet në tru dhe të kuptojnë më mirë mënyrën se si përparon demenca frontotemporale, me synimin për të kontribuar në zhvillimin e trajtimeve më efektive.

Ajo e ka cilësuar vendimin si ‘emocionalisht shkatërrues, por shkencërisht të nevojshëm’. Bisedat për këtë çështje janë zhvilluar edhe me vajzat e tyre, Rumer, Scout dhe Tallulah, si dhe me Demi Moore, e cila vijon të jetë e pranishme në jetën e familjes.

Willis, 71 vjeç, u diagnostikua me demencë frontotemporale në vitin 2023. Më herët, familja kishte bërë të ditur se aktori vuante nga afazia, një çrregullim që ndikon në aftësinë për të komunikuar. Demenca frontotemporale është një sëmundje progresive dhe aktualisht nuk ka një kurë që mund ta ndalojë përparimin e saj.

Në janar, Heming foli edhe për një tjetër aspekt të gjendjes së aktorit, duke zbuluar se ai vuan nga anosognosia. Ky çrregullim neurologjik bën që personi i prekur të mos jetë në gjendje ta kuptojë ose ta dallojë plotësisht sëmundjen e vet.

Familja e aktorit ka ndarë vazhdimisht me publikun sfidat e përditshme të përballjes me diagnozën. Përmes vendimit për dhurimin e trurit pas vdekjes së tij, ajo synon që përvoja e Willis të kontribuojë në studimin e demencës frontotemporale dhe në kërkimin e mundësive të reja për pacientët e tjerë.

Të Ngjashme