Reagimet në Kosovë pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin e organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel po vazhdojnë. Rasti ka nxitur kritika për mesazhin politik që përcjell kjo këngë dhe për përgjegjësinë e institucioneve evropiane që lejuan përfshirjen e saj në një aktivitet ku promovohet bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë.
Lidhur me këtë ngjarje, për gazetën “Bota sot” ka folur edhe eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, i cili ka kritikuar tolerimin e simboleve nacionaliste që, sipas tij, cenojnë shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Ai ka theksuar se problemi nuk qëndron te kultura serbe, por te mesazhi politik i këngës, e cila përcjell pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe bie ndesh me frymën e bashkëpunimit dhe integrimit evropian.
“Interpretimi i këngës nacionaliste serbe „Oj Kosovo, Kosovo“ në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel nuk është një çështje që mund të kalohet thjesht si një përzgjedhje e zakonshme muzikore.
Problemi nuk qëndron te muzika serbe, kultura serbe apo e drejta e qytetarëve serbë për të shprehur identitetin e tyre kulturor. Problemi qëndron te mesazhi politik dhe simbolika nacionaliste e një kënge që përçon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Është paradoksale që në një aktivitet evropian, i cili synon të promovojë bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe integrimin e vendeve të rajonit, të përzgjidhet një këngë e lidhur me një narrativë nacionaliste që vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti”, tha ai për “Bota sot.
Në përfundim, Gecaj ka theksuar se Evropa duhet të tregojë më shumë përgjegjësi dhe kujdes institucional ndaj simboleve që cenojnë shtetësinë e Kosovës.
Ai ka nënvizuar se Kosova nuk kërkon privilegje, por respekt për sovranitetin, historinë dhe dinjitetin e qytetarëve të saj, duke shtuar se pajtimi dhe fqinjësia e mirë nuk mund të ndërtohen duke relativizuar të vërtetën dhe pretendimet territoriale.
“Evropa nuk mund të kërkojë nga shqiptarët të ndërtojnë paqe, pajtim dhe bashkëjetesë, ndërkohë që ndaj simboleve dhe narrativave që cenojnë shtetësinë e Kosovës të tregojë mungesë të kujdesit institucional.
Nuk është e domosdoshme që çdo këngë nacionaliste të përbëjë automatikisht gjuhë të urrejtjes. Por kur simbolika kulturore përdoret për të legjitimuar pretendime territoriale dhe për të mohuar realitetin shtetëror të një populli, kemi të drejtë të kërkojmë përgjegjësi dhe sqarim
Prandaj, çështja nuk është të kufizohet kultura serbe, por të mos lejohet që kultura të përdoret si mbulesë për propagandë politike dhe pretendime hegjemoniste.
Kosova nuk kërkon privilegj nga Evropa. Kërkon respekt për shtetësinë e saj, për historinë e saj dhe për dinjitetin e qytetarëve të saj.
Pajtimi nuk ndërtohet duke relativizuar të vërtetën, ndërsa fqinjësia e mirë nuk ndërtohet duke normalizuar pretendimet ndaj territorit të tjetrit” – përfundoi ai për gazetën.
