Reperja amerikane, Megan Thee Stallion, ka folur për ndarjen e saj të fundit nga basketbollisti Klay Thompson, duke e përshkruar atë periudhë si “shumë të vështirë” dhe duke pranuar se në lidhje ndihej “gjithmonë në alarm”.
Në një intervistë për revistën InStyle, artistja e njohur për hitin “Savage” rrëfeu se fundi i marrëdhënies me ish-yllin e Golden State Warriors e bëri të ndihej sikur ishte “futur në lavatriçe dhe më pas në tharëse, bashkë me kanaçe, lopata dhe një kaktus”.
Megan dhe Thompson nisën lidhjen vitin e kaluar dhe për disa muaj dukej se marrëdhënia e tyre po shkonte drejt martesës. Çifti shfaqej shpesh bashkë, ndërsa raperja ishte e pranishme në disa ndeshje të NBA-së për të mbështetur të dashurin e saj nga rreshti i parë.
Megjithatë, në prill, ishte vetë Megan ajo që njoftoi ndarjen përmes një postimi në Instagram, ku akuzoi Thompson-in se e kishte tradhtuar.
Klay Thompson, 36 vjeç, luajti tek Dallas Mavericks gjatë dy viteve të fundit, periudhë që përkon me kohën e lidhjes së tij me reperen. Para kësaj, ai kaloi 13 sezone tek Golden State Warriors, ku fitoi katër tituj të NBA-së dhe u përzgjodh pesë herë në “All-Star”. Gjatë kësaj vere, Thompson u transferua tek Miami Heat.

Duke folur për marrëdhënien, Megan tha se përfundimisht kuptoi se nuk po ndihej më vetvetja.
“Si mund ta them këtë në mënyrë delikate? Ajo që është për ty, do të funksionojë gjithmonë. Dhe nëse diçka të bën vazhdimisht të ndihesh në siklet, gjithmonë në alarm, ndoshta nuk është vendi ku duhet të jesh”, u shpreh ajo.
“Besoj se tentova të bashkoja pjesë që nuk përputheshin, duke u përpjekur të përshtatesha në jetën e dikujt tjetër. Po humbisja paksa veten. Tani jam në fazën ku po e rigjej veten”, shtoi reperja.
Për të ardhmen, Megan tha se kërkon një marrëdhënie ku të dy partnerët të jenë të barabartë.
“Nuk mund të më minimizosh. Nuk do të qëndroj pas asnjë burri. Nuk do të jem kurrë në plan të dytë për asgjë. Dhe nëse nuk mund ta pranosh këtë, duhet të ndjekim rrugët tona të ndara, me respekt”, përfundoi ajo.

