Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, hartuesi i ligjit që synon kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara , e që sot u kthye për shqyrtim nga presidentja ka thënë se ky ligj nuk ka asnjë gabim.
Ai ka thënë se qëndron prapa çdo ndryshimi të propozuar.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”, ka shkruar Gruda në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se do të preferonte që sot të flitet për zbatimin e këtij ligji.
Gruda ka thënë se nuk tërhiqet nga puna dhe bindja e tij.
“Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj. Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim”, është shprehur Gruda.
