Lajme

Policët i çojnë djalin me pranga në shtëpi, OPGJ-ja nxjerr telefonin, gruaja e kërcënon: Ta thyej turinjve! Oficeri me cigare në dorë: Ligjin e ka miratuar … (Video)

Një ndërhyrje e punonjësve të Policisë së Tiranës në një banesë të kryeqytetit është shoqëruar me debate të ashpra dhe kërcënime verbale, ndërsa një deklaratë e oficerit të Policisë Gjyqësore për një ligj të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm ka ngritur pikëpyetje mbi njohjen e legjislacionit nga vetë efektivët.

Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, disa punonjës policie, që prezantohen si efektivë të Komisariatit Nr. 1, shfaqen pranë një banese, ku kanë shoqëruar një të ri me pranga. Sipas deklarimeve të policëve në video, ai dyshohet se i ka vjedhur portofolin një 17-vjeçari. Përballë efektivëve ndodhen një burrë dhe një grua, të cilët përfshihen në një debat të tensionuar me ta. Policët kërkojnë të mësojnë nëse i riu jeton në atë banesë, ndërsa burri u përgjigjet se e ka përzënë nga shtëpia.

“Jo, e kam përzënë nga shtëpia. Gjeni ata që i japin drogë atij”, dëgjohet të thotë burri, duke shtuar se efektivët kishin shkuar edhe dy ditë më parë për kontroll.

Ndërkohë, gruaja kërkon të dijë identitetin e njërit prej punonjësve të policisë, duke e pyetur përse nuk ka numër identifikimi dhe nëse është efektiv civil. Situata acarohet kur oficeri i kërkon gruas të futet brenda, ndërsa ajo i përgjigjet se ndodhet në shtëpinë e saj dhe nuk pranon t’i jepen urdhra.

Në një moment, oficeri paralajmëron shoqërimin e burrit, ndërsa më pas kërkon nga kolegu i tij afrimin e një patrulle me punonjëse policie. Por pjesa që tërheq më shumë vëmendjen vjen në fund të videos, kur oficeri i Policisë Gjyqësore nxjerr telefonin dhe kërkon të regjistrojë deklarimin e familjarëve se i riu nuk banon më me ta.

Gruaja kundërshton menjëherë filmimin, duke pretenduar se oficeri nuk ka të drejtë ligjore ta regjistrojë dhe duke e kërcënuar se do t’ia thyejë telefonin në fytyrë. Për të shpjeguar veprimin e tij, oficeri thotë se bëhet fjalë për një procedurë standarde të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

“E kemi procedurë standarde, e miratuar nga drejtori i Përgjithshëm. Është ligj i miratuar në 2024 nga drejtori i Përgjithshëm”, shprehet ai.

Një deklaratë që ngre pyetjen se si mund të miratojë ligje drejtori i Policisë së Shtetit, kur Kushtetuta ia njeh këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë mund të miratojë urdhra apo akte të brendshme brenda kompetencave të tij, por jo ligje. Në këtë rast, nuk është e qartë nëse oficeri ka ngatërruar një procedurë të brendshme me një dispozitë ligjore apo nëse i është referuar gabimisht bazës juridike të veprimit.

Debati mes policëve dhe familjarëve:

OPGJ: Djali juaj ka vjedhur një 17-vjeçar.

Burri: As më intereson fare.

Gruaja: Ti kush je të lutem që je pa numër… Civil je?

Burri: Kush je? Kush je ore?

Oficeri i policisë: Ja ku i ke me uniformën e policisë.

Gruaja: Se të kapa në shkelma tani dhe të nxorra përjashta.

OPGJ: Të lutem futu brenda.

Gruaja: Kujt i thua ti futu brenda, jam në shtëpi time unë ore. Hajde se ta jap një shqelm që nuk e ke idenë.

Burri: Largohu!

Gruaja: Largoni prej këtu që tani, largohuni!

OPGJ: Jam oficer i Policisë Gjyqësore.

OPGJ: Do të shoqëroj. (I drejtohet burrit)

Gruaja: Kur të vdes unë.

OPGJ: Afro një patrullë me femër. (I drejtohet kolegut)

Gruaja: Patrullë me femër? S’ka shanse njëherë, s’ka shanse. Ti babain tim nuk e prek dot me dorë.

Burri: Erdhën para dy ditësh, i futën një të kontrolluar. A jeni ju të 1-shit?

OPGJ: A jeton me ju?

Burri: Jo, e kam përzënë nga shtëpia. Gjeni ata që i japin drogë atij.

OPGJ: Ku jeton ti? (I drejtohet djalit me pranga)

Djali: Rrugëve.

Burri: E kam përzënë nga shtëpia, o zotëri.

OPGJ: E kemi procedurë standarde, e miratuar nga drejtori i Përgjithshëm. Është ligj i miratuar në 2024 nga drejtori i Përgjithshëm.

Të Ngjashme