Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hapur një kapitull të ri në debatin politik e shoqëror në Kosovë. Më 16 shtator, paneli gjyqësor i shpalli të katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për krime lufte dhe shqiptoi dënime prej 25 vjetësh për Thaçin dhe Krasniqin, 18 vjet për Veselin dhe 13 vjet për Selimin.
Vendimi i Hagës ka rikthyer në qendër të vëmendjes jo vetëm fatin e të dënuarve, por edhe pasojat që mund të ketë ky zhvillim në skenën politike të Kosovës, në raportet ndërmjet partive dhe në mënyrën se si institucionet do ta trajtojnë këtë kapitull.
Për këtë çështje, për “Bota sot” ka folur publicisti Lis Bukuroca, i cili vlerëson se pas aktgjykimit do të duhej të ndryshonte qasja ndaj funksionimit të shtetit dhe institucioneve.
Sipas tij, nëse kërkohet një qëndrim institucional, partitë politike nuk mund të vazhdojnë me bllokime dhe përplasje që pengojnë funksionimin e institucioneve.
“Do të duhej dhe mund të ndryshojë qëndrimi ndaj shtetit. Nëse kërkohet një qëndrim institucional, nuk mund të vazhdohet me sabotimin e zgjedhjes së kryetarit dhe të stabilizimit të shtetit. Nuk e di nëse do të arrijnë të reflektojnë dhe të kuptojnë se me urrejtje nuk mbrohet shteti, as me shantazh”, tha Bukuroca.

Lis Bukuroca
Duke folur për skenën partiake dhe veçanërisht për PDK-në, publicisti konsideron se kjo parti ka nevojë për ndryshime të brendshme. Ai kritikon qasjen që, sipas tij, synon t’ia atribuojë Qeverisë së Kosovës përgjegjësinë për zhvillimet që kanë ndodhur në Hagë.
“PDK-ja ka nevojë për reforma të brendshme. Tani për tani, është një parti që ka luftuar mish e shpirt për ta zhvendosur përgjegjësinë për gabimet e veta dhe për t’ia hedhur ato Kurtit. Kështu nuk ndihmohet askush. Dihet se kush ka gabuar dhe dihet se ndikimi i Qeverisë së Kosovës në Hagë është zero”, u shpreh ai.
Ndërkohë, sa i përket ndikimit që aktgjykimi mund të ketë në raportet ndërmjet partive politike dhe në mënyrën se si ato do të pozicionohen ndaj figurave të dënuara, Bukuroca pret fillimisht një periudhë më të kujdesshme të deklarimeve publike.
“Mendoj se kjo fillimisht do të shkaktojë një lloj rezignacioni dhe përpjekje për të mos u prononcuar shumë. Disa nga PDK-ja, me plot ankth, po mendojnë se po tregojnë dashuri duke dalë me qëndrime aspak serioze dhe aspak të realizueshme”, tha Bukuroca.
Një tjetër çështje që mund të rikthehet në debatin publik është përgjegjësia politike dhe institucionale për akuzat që kanë shoqëruar prej vitesh figurat e ish-krerëve të UÇK-së.
Bukuroca thotë se një debat i tillë mund të rikthehet në të ardhmen, por sipas tij, aktualisht nuk është momenti për një përballje të tillë. Ai rikujton se pretendime dhe akuza për vrasje e krime të tjera janë ngritur edhe më herët në Kosovë, ndërsa sistemi i drejtësisë, sipas tij, nuk ka arritur t’i ndriçojë ato.
“Ndoshta një ditë do të rikthehet, por jo tani. Ata, para se të akuzoheshin nga Haga, ishin akuzuar edhe publikisht te ne, nga gazetarë e politikanë. Shumë vrasje në Kosovë nuk janë ndriçuar. Sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar dhe ajo palë që akuzohej për këto krime nuk ka ndërmarrë kurrë hapa seriozë për t’i ndriçuar ato”, deklaroi ai.
Por a e mbyll aktgjykimi i Hagës një kapitull të gjatë politik në Kosovë, apo përkundrazi mund të hapë një debat edhe më të gjerë për të ardhmen?
Për publicistin Bukuroca, përgjigjja është se ky kapitull nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Ai e sheh aktgjykimin si një zhvillim që ka hapur një debat të madh në Kosovë dhe shpreh kritikën e tij ndaj mënyrës se si, sipas tij, është trajtuar çështja në raport me shqiptarët.
“Haga nuk mbyll, tani për tani, asgjë. Ka hapur debat të madh. Ajo lexoi një aktgjykim ku shihej se përpiqej të qetësonte shqiptarët, duke folur kryesisht për shqiptarë të vrarë. Por, nëse nuk gabohem, përmendi edhe shtatë komandantë të tjerë. Ndoshta arrestohen edhe ata. Ajo që shihet, është se dënimet ishin më të rënda sesa për politikanët serbë. Kjo flet për një qëndrim tendencioz dhe paragjykues të gjykatësve”, tha Bukuroca.
Megjithatë, ai thekson se debati nuk mund të mbyllet vetëm me aktgjykimin e Gjykatës Speciale, pasi pas tij mbeten viktimat dhe dëshmitë e dhëna gjatë procesit gjyqësor.
“Kapitulli nuk mund të mbyllet, sepse ka viktima. Aty kanë dëshmuar shumë dëshmitarë shqiptarë, ndoshta edhe ish-pjesëtarë të FARK-ut dhe të LDK-së, për të afërmit e tyre. Edhe ish-udhëheqës të UDB-së kanë dëshmuar për të vetët”, përfundoi publicisti Lis Bukuroca për “Bota sot”.
