Lajme

Hetime për ndotjen e ajrit në Obiliq, Prokuroria autorizon Policinë për rastin e KEK-ut

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për ndotje të ajrit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në Obiliq, pas pranimit të informacioneve dhe një video-incizimi që pretendohet se dëshmon lirimin e tymit ndotës nga oxhaqet e kësaj ndërmarrjeje.

Sipas njoftimit zyrtar, Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie ka vlerësuar se ekzistojnë baza për dyshime mbi ndotjen e mjedisit, duke autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për verifikimin e rastit dhe sigurimin e provave relevante.

Rasti është kualifikuar në drejtim të veprës penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, në përputhje me nenin 338 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit dhe ka garantuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.

Të Ngjashme