Një histori e rrallë ka dalë në dritë për binjaket Michelle Osbourne dhe Lavinia Osbourne, të cilat zbuluan në moshën 49-vjeçare se nuk kanë të njëjtin baba. Gjithçka nisi në shtator 2022, kur Lavinia bëri një test ADN-je në shtëpi dhe rezultatet treguan se ajo dhe motra e saj, ndonëse të lindura me minuta diferencë nga e njëjta nënë, janë vetëm motra nga nëna. Ky fenomen i jashtëzakonshëm quhet superfekondim heteropaternal dhe ndodh kur një grua fekondohet nga dy burra të ndryshëm në të njëjtin cikël një rast tepër i rrallë, me vetëm rreth 20 raste të dokumentuara në botë.
Historia e tyre familjare ka qenë e vështirë që në fillim. Të lindura në vitin 1976 në Nottingham, vajzat u rritën mes mungesës së prindërve dhe lëvizjeve të shpeshta nga një familje kujdestare te tjetra. Nëna e tyre, vetëm 19 vjeçe kur i solli në jetë, u kishte thënë gjithmonë se babai i tyre ishte një burrë i quajtur James, i cili nuk ishte pjesë e jetës së tyre. Megjithatë, dyshimet nisën vite më vonë, sidomos nga Michelle, e cila nuk shihte ngjashmëri me të. Pas vdekjes së nënës në shkurt 2022 dhe analizave të mëtejshme, Michelle zbuloi se babai i saj biologjik ishte një burrë i quajtur Alex, ndërsa kërkimet e mëtejshme çuan Lavinian drejt babait të saj, Arthur.
Pavarësisht tronditjes fillestare, binjaket kanë ruajtur lidhjen e tyre të fortë. Lavinia arriti të krijojë një marrëdhënie të ngushtë me babanë e saj biologjik, ndërsa Michelle gjithashtu u përball me të vërteta të vështira për të kaluarën e saj familjare. Edhe pse nuk do ta mësojnë kurrë nëse nëna e tyre e dinte të vërtetën, ato e pranojnë se lidhja mes tyre mbetet e pathyeshme. “Ne jemi mrekulli”, thotë Lavinia, ndërsa Michelle shton se asgjë nuk mund të ndryshojë faktin që ato janë motra binjake, duke e bërë historinë e tyre një nga rastet më të rralla dhe më intriguese biologjike të njohura deri më sot.
