Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka reaguar ashpër pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar ngjarjen si skandal politik dhe të sigurisë që cenon kredibilitetin e BE-së dhe qasjen e saj ndaj Kosovës.
Ai në reagimin e tij në Facebook, kritikoi politikën evropiane të stabilitokracisë ndaj Serbisë, duke kërkuar nga komisionarja Marta Kos distancim publik, kërkimfalje dhe sqarime se kush e miratoi një repertor të tillë në aktivitetin e Komisionit Evropian, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë
NACIONALIZMI SERB NË SKENËN E BE-SË: STABILITOKRACIA NË KURRIZ TË KOSOVËS!
Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel i tejkalon kufijtë e një skandali kulturor, duke treguar se kjo është një çështje politike dhe e sigurisë që prek drejtpërdrejt kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe qasjen e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Kënga e vitit 1989, e shkruar dhe e publikuar në kohën e mobilizimit nacional-shovinist serb, përmban pretendime të hapura territoriale ndaj Kosovës. Pikërisht kjo lloj narrative historike dhe politike është përdorur për të justifikuar politikat gjenocidale të Serbisë ndaj Kosovës.
Si është e mundur që Bashkimi Evropian, i cili financon programe për luftimin e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe për promovimin e tolerancës dhe pajtimit rajonal, të lejojë promovimin e një narrative të tillë në një aktivitet të vetin institucional? Madje, BE-ja financon edhe në Kosovë projekte konkrete kundër diskriminimit dhe urrejtjes. Kundërthënia bëhet edhe më e rëndë kur kjo ndodh në Forumin e Zgjerimit, ku diskutohet e ardhmja evropiane e rajonit, ndërsa Kosova nuk figuron me përfaqësim qeveritar në programin e nivelit të lartë.
Kjo ngjarje nuk mund të lexohet e shkëputur nga politika e stabilitokracisë që BE-ja ka ndjekur prej vitesh ndaj Serbisë së Vuçiqit, duke i dhënë përparësi stabilitetit afatshkurtër në vend të përballjes me politikat destabilizuese të Beogradit. Mesazhi që përcjell një skenë e tillë në zemër të Brukselit është shqetësues, pasi pretendimet territoriale serbe gjejnë hapësirë edhe në aktivitetet evropiane, ndërsa akomodimi politik i Serbisë vazhdon të trajtohet si instrument për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Kjo qasje ka kosto reale për sigurinë. Tolerimi i narrativave territoriale krijon kushte për normalizimin e tyre, dobëson përpjekjet për pajtim dhe rrezikon ta shndërrojë zgjerimin evropian në një mekanizëm për akomodimin e kërkesave politike të Beogradit, në vend të një procesi të bazuar në rregulla dhe detyrime të barabarta.
Për më tepër, vetë BE-ja është ndërmjetëse e Marrëveshjes së vitit 2023, e cila përfshin respektimin e integritetit territorial, barazinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Nuk mund të kërkohet zbatimi i këtyre parimeve në tryezën e dialogut, ndërkohë që në aktivitetet e Komisionit Evropian u jepet hapësirë mesazheve që bien ndesh me to.
Komisionarja Marta Kos duhet të distancohet publikisht, të kërkojë falje për shfaqjen e kësaj kënge në aktivitetin e Komisionit Evropian dhe të japë shpjegime se kush e ka miratuar një repertor të tillë.
Bashkimi Evropian duhet të tregojë qartë nëse zgjerimi mbetet një proces i mbështetur në sundimin e ligjit, sigurinë dhe respektimin e integritetit territorial, apo nëse logjika e stabilitokracisë vazhdon të përcaktojë marrëdhëniet me Serbinë, duke cenuar besueshmërinë e politikës evropiane ndaj Kosovës.
Pajtimi që toleron pretendimet territoriale nuk ndërton paqe të qëndrueshme, por krijon kushte për kriza të reja.
