Lajme

Nagavci reagon ndaj interpretimit të këngës nacionaliste serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka reaguar duke kërkuar sqarim nga Komisioni Evropian për interpretimin e këngës nacionalistë serbe në Forumin e Zgjerimit të BE-së.

Sipas reagimit, kënga daton nga viti 1989 dhe lidhet me periudhën e regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe zhvillimet politike në Kosovë para luftës.

“E mbështes plotësisht reagimin e institucioneve tona, të cilat me të drejtë kërkuan sqarim nga Komisioni Evropian. Ne e duam Evropën, dhe pikërisht për këtë i kërkojmë të jetë në lartësinë e vlerave të saj”, ka thënë Nagavci.

Tutje në reagim thuhet se interpretimi i kësaj kënge është problematik për shkak të mesazhit që, sipas saj, përcjell për Kosovën dhe historinë e saj.

Po ashtu, theksohet se Bashkimi Evropian u kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor të përballen me të kaluarën dhe të heqin dorë nga retorika nacionaliste, duke kërkuar që i njëjti standard të zbatohet edhe në ngjarjet e organizuara nga institucionet evropiane.

“Kosova do ta vazhdojë rrugën e saj evropiane me vendosmëri, me reforma dhe me dinjitet. Sepse Evropa jonë është Evropa e së vërtetës, jo e këngëve që na mohojnë”, shtoi ajo në reagim.

Të Ngjashme