Mesazhi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas zhvillimeve të fundit brenda partisë, është interpretuar si i drejtuar ndaj deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ishte ndër të parët që kundërshtoi publikisht marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidaturën për president.
Hoti ka deklaruar se kandidatura e propozuar nuk përfaqëson, sipas tij, interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj.
“Kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK-ja ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike. LDK-ja duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, ka thënë Hoti për A2 CNN.
Deklaratat e Hotit vijnë në kohën kur brenda LDK-së janë shfaqur qëndrime të ndryshme lidhur me marrëveshjen e arritur me Vetëvendosjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme është zhvilluar edhe një takim mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, pas kundërshtimit të disa deputetëve të LDK-së për ta mbështetur kandidaturën e Sejdiut, por deri tani nuk është raportuar për ndonjë marrëveshje të re konkrete.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa palët pritet të vazhdojnë diskutimet për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
