Një investigim i televizionit Ora News ka nxjerrë në dritë një skandal të përmasave të mëdha institucionale në zonën e Mamurrasit dhe Krujës, ku operojnë 16 gurore. Përmes kryqëzimit të informacionit zyrtar të siguruar nga dy institucionet kryesore të kontrollit, Ora News ka evidentuar se Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) funksionojnë si “shtete brenda shtetit”.
Regjistrat e tyre për shfrytëzimin e pasurive kombëtare nuk përputhen, duke i hapur rrugën guroreve të paligjshme dhe krimit mjedisor.Sipas ligjit shqiptar, asnjë kompani nuk mund të kryejë gërmime apo të nxjerrë minerale gëlqerore pa pasur dy dokumente bazë: Licencën Minerare (Lejen e Shfrytëzimit) nga AKBN dhe Lejen Mjedisore (ose Vendimin e VNM-së) nga AKM.
Nga krahasimi i regjistrave zyrtarë për të njëjtën zonë gjeografike, ndërsa AKBN shprehet se operojnë në total 16 gurore, AKM konfirmon zyrtarisht vetëm 9 subjekte me leje mjedisore aktive. Ky kryqëzim të dhënash nxjerr në dritë një skandal institucional: pesë kompani që posedojnë licencë minerare nga AKBN, nuk ekzistojnë në listën zyrtare të lejeve mjedisore të AKM-së.
Subjekti i parë që rezulton pa leje mjedisore për këtë aktivitet shfrytëzimi është ANTEA CEMENT sh.a., me administrator shtetasin Dimitrios Dimou. Dokumentet e AKBN-së tregojnë se vetëm vitin e kaluar, kjo kompani ka nxjerrë një sasi masive prej mbi 460,000 tonë argjilë dhe gur gëlqeror. Gërmimi dhe përvetësimi i kësaj pasurie kombëtare në përmasa të tilla, pa pasur miratimin e detyrueshëm mjedisor nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, përbën një cenim të rëndë të interesit publik dhe legjislacionit në fuqi.
Subjektet e tjera që zhvillojnë aktivitet shfrytëzimi pa leje mjedisore nga AKM janë:
• KOTICA shpk (administrator Frrok Kotica)
• INERTE EKPRES shpk (administrator Kastriot Begaj)
Ad
• PRISKA shpk (administrator Pëllumb Priska)
• AGHAK CARA shpk (administrator Fation Çoba, ortak Preng Cara)
Për këtë subjekt përplasja ligjore është flagrante: AKBN deklaron se kompania “AGHAK CARA” shpk ka aplikuar në bashki për hapje rruge. Mirëpo, sipas legjislacionit, asnjë autoritet lokal nuk mund të miratojë ndërhyrje të tilla infrastrukturore pa u pajisur subjekti më parë me Vlerësim të Ndikimit në Mjedis nga AKM-ja institucion i cili zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë apo leje të lëshuar për këtë rast.
Por skandali thellohet me kompaninë “STYLE CONSTRUCTION”, me administrator z. Françesk Dushku. Ky subjekt është listuar nga AKM si zotërues i një leje mjedisore aktive për shfrytëzimin e guroreve në Droje dhe Mamurras, por ai nuk ekziston fare në listën zyrtare të lejeve minerare të AKBN-së. Kjo do të thotë se AKM i ka dhënë leje mjedisore një kompanie që nuk ka asnjë të drejtë ligjore dhe asnjë licencë minerare për të shfrytëzuar apo gërmuar gurë në atë zonëMungesa e një regjistri të unifikuar dhe e koordinimit ndërmjet dy agjencive tregon se shteti nuk ka kontroll mbi numrin real të guroreve që gërmojnë në malet e Krujës dhe Kurbinit, se kush paguan taksa dhe kush po e shkatërron mjedisin në mënyrë të paligjshme. Përballë këtyre fakteve të rënda, Ora News i bën thirrje organeve të drejtësisë dhe Prokurorisë të nisin menjëherë hetimet për këtë skandal institucional dhe krim mjedisor.
