Kur Dr. Dariush Mozaffarian ishte 17 vjeç, jeta e tij ndryshoi përgjithmonë. Një natë, ndërsa ishte në gjumë, babai i tij, vetëm 47 vjeç, pësoi një atak të rëndë në zemër, i cili u pasua nga dy arrestime kardiake.
Në spital, ai iu nënshtrua një operacioni urgjent të pesëfishtë bypass-i për të rikthyer qarkullimin e gjakut në pesë arterie të bllokuara rëndë. Më pas, kaloi disa javë në reanimacion, i lidhur me një ventilator dhe, siç shprehet mjeku, «mezi i gjallë». Mrekullisht, ai mbijetoi dhe, pas muajsh rehabilitimi, u kthye në punën e tij si endokrinolog, duke u kujdesur për njerëzit me diabet, tension të lartë të gjakut, obezitet dhe çrregullime të tjera metabolike, shumë prej të cilëve ishin në rrezik të lartë për të përjetuar atë që sapo i kishte ndodhur atij.
Të ishe dëshmitar i drejtpërdrejtë i këtyre ngjarjeve do të kishte një ndikim të thellë te çdo fëmijë, por për Dr. Mozaffarianin, ato u bënë përcaktuese në formimin e tij.
Dr. Mozaffarian ia kushtoi jetën edukimit të publikut dhe politikëbërësve për arsyen pse ushqyerja e dobët është një nga faktorët kryesorë që dëmtojnë shëndetin. Ai u bë një kardiolog me famë botërore dhe shkencëtar i shëndetit publik. Studioi në universitetet Stanford dhe Columbia në Shtetet e Bashkuara, përpara se të merrte doktoraturën në shëndetin publik në Harvard. Libri i tij i parë, Food Is Medicine (Ushqimi është ilaç), synon të sqarojë konfuzionin dhe keqinformimin rreth mënyrës se si ajo që hamë ndikon në shëndetin tonë. Ai argumenton se problemi nuk është se hamë shumë, por se hamë shumë pak nga ushqimet që shërojnë, mbrojnë dhe rigjenerojnë trupin dhe mendjen tonë. “Po sëmuremi gjithnjë e më shumë dhe po vdesim në moshë të re për shkak të asaj që hamë”, thotë ai.
Dr. Dariush Mozaffarian sugjeron se po hamë shumë pak nga ushqimet që ndihmojnë në shërimin e trupit tonë.
Ndërsa themelet ushqyese për një shëndet të mirë vendosen që në moshë të re, Dr. Mozaffarian beson se ka gjithmonë kohë për të ndryshuar dietën dhe për të përmirësuar shëndetin.
“Kemi kryer shumë studime te njerëzit mbi 70 vjeç dhe zakonet ushqimore vazhdojnë të kenë rëndësi edhe në moshat e mëdha”, thotë ai. “Nuk është kurrë vonë për të filluar dhe, sa herë që ndryshoni dietën tuaj, për mirë ose për keq, ndikoni në shëndetin tuaj. Unë tashmë jam 10 vjet më i moshuar se mosha që kishte babai im kur pësoi atakun në zemër”.
Ndaloni së numëruari kaloritë
Mbipesha e detyron zemrën të punojë shumë më tepër dhe ndryshon drejtpërdrejt strukturën e saj, duke rritur rrezikun e insuficiencës kardiake, atakut në zemër dhe çrregullimeve të ritmit të zemrës. Megjithatë, Dr. Mozaffarian dëshiron që ne të ndalojmë dietat dobësuese.
Dr. Mozaffarian e thekson qartë se obeziteti është një krizë globale e shëndetit publik, por, megjithëse ligji bazë i termodinamikës (energjia e marrë kundrejt energjisë së shpenzuar) mbetet i vlefshëm, “gabimi është të mendosh se kaloritë e shënuara në pjesën e pasme të një pakete ushqimore përkthehen drejtpërdrejt në atë që ndodh në trupin tënd”.
Ai thotë se rreth vitit 2000, kur epidemia e obezitetit filloi të bëhej më e theksuar, njerëzit nisën të konsumonin më pak kalori, një prirje që ka vazhduar edhe më pas. Gjithashtu, jemi më aktivë se kurrë, por normat e obezitetit vazhdojnë të rriten. Pse?
“Nuk është plotësisht e qartë përse, por sasia e energjisë që djegim kur jemi në pushim ka rënë me rreth 220 kalori në ditë. Mjafton të gabojmë me 10 ose 20 kalori në ditë për të shtuar peshë”, thotë ai.
Gjithashtu, jo të gjitha kaloritë janë të njëjta. «Lloji i ushqimit që hamë bën dallimin. Te njerëzit që ndjekin një dietë tradicionale, me ushqime të përpunuara minimalisht, mikrobioma e zorrëve mund të tresë 20 për qind të kalorive. Ndërsa te njerëzit që konsumojnë një dietë me ushqime shumë të përpunuara, mikrobioma e zorrëve mund të tresë vetëm katër ose pesë për qind të këtyre kalorive.
Pjesa tjetër tretet nga stomaku dhe zorra e hollë, pa arritur kurrë në zorrën e trashë. Në një dietë me 2 000 kalori, ndryshimi është ky: mikrobioma tret 400 kalori dhe trupi ynë përthith 1 600, kundrejt rastit kur mikrobioma tret 50 kalori dhe trupi përthith 1 950. Kjo ka një ndikim të madh, veçanërisht kur kombinohet me uljen e energjisë që shpenzojmë në gjendje pushimi”.
Dr. Mozaffarian argumenton se cilësia e ushqimit që hamë ka më shumë rëndësi sesa thjesht numërimi i kalorive.
Këto të dhëna mbështesin një nga studimet e hershme të Dr. Mozaffarianit, i cili vuri në pikëpyetje një nga supozimet themelore të dietave dobësuese. Pavarësisht se shpesh përmbajnë shumë kalori, disa ushqime dukeshin pothuajse “magjike”: sa më shumë arra, drithëra integrale, fruta, perime, fruta deti dhe kos të konsumonin njerëzit, aq më shumë humbnin peshë.
“Ky është parimi kryesor i librit Food Is Medicine», thotë Mozaffarian. «U them njerëzve të mos numërojnë kaloritë, por të ndjekin cilësinë e ushqimit që konsumojnë. Duhet të përqendrohemi te konsumimi i më shumë ushqimeve të mira, jo te konsumimi i më pak ushqimeve që konsiderohen të këqija”.
Yndyrat e ngopura nuk janë përbindëshi që i kemi konsideruar
Shqetësimi për yndyrat, veçanërisht yndyrat e ngopura dhe kolesterolin ushqimor, filloi vetëm rreth vitit 1980, shpjegon Dr. Mozaffarian. “Atëherë, për herë të parë, udhëzimet ushqimore rekomanduan që njerëzit të shmangnin yndyrat për të parandaluar sëmundjet e zemrës. Ky ishte një gabim”.
Në atë kohë, ataku në zemër ishte bërë shkaku kryesor i vdekjeve në shumë vende perëndimore. “Studimet shkencore të viteve 1960 dhe 1970 sugjeronin se yndyrat dhe yndyrat e ngopura shkaktonin sëmundje të zemrës, sepse yndyrat e ngopura rrisnin kolesterolin LDL, i njohur si kolesteroli i keq. Gjithashtu, studimet që krahasonin SHBA-në me gjashtë vende të tjera, përfshirë Italinë, Greqinë dhe Japoninë, evidentuan lidhje mes konsumit të yndyrave të ngopura dhe sëmundjeve të zemrës”.
Megjithatë, kishte përjashtime nga ky rregull, si Franca, ku konsumi i yndyrave ishte shumë i lartë, por rastet e sëmundjeve të zemrës ishin të pakta. Ky fenomen u quajt “paradoksi francez”. Në atë kohë, ai shpjegohej me faktin se francezët konsumonin më shumë verë të kuqe, por kjo lidhje u rrëzua më vonë nga studimet.
“Më shumë se 20 studime të mëvonshme kanë shqyrtuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës në lidhje me yndyrat e ngopura dhe nuk kanë identifikuar asnjë lidhje të përgjithshme”, shkruan Dr. Mozaffarian. “Megjithëse yndyrat e ngopura rrisin kolesterolin LDL, ato shkaktojnë gjithashtu një sërë efektesh të tjera që e kompensojnë këtë ndikim”.
Disa nga studimet e vetë Dr. Mozaffarianit, të cilat shqyrtuan ndikimin e lëndëve të ndryshme ushqyese në zhvillimin e pllakave aterosklerotike te gratë, zbuluan se yndyrat e ngopura mund të kishin efekt mbrojtës. Gratë që konsumonin më shumë yndyra të ngopura përjetonin një përparim më të vogël të pllakave në arterie, ndërsa ato që konsumonin më shumë karbohidrate përjetonin një përparim më të madh.
Kjo ndodh sepse karbohidratet treten shumë shpejt, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak dhe nivele të larta të insulinës. Me kalimin e kohës, kjo dëmton shtresën e brendshme delikate të enëve të gjakut.
Pra, a është vërtet në rregull të konsumojmë mish, gjalpë dhe produkte bulmeti me yndyrë të plotë? Përgjigjja është po dhe jo.
“Këto ushqime janë të pranueshme. Mund t’i përfshini në dietën tuaj në sasi të moderuara dhe të vazhdoni të jeni të shëndetshëm. Në këtë grup, djathi dhe qumështi renditen ndër më të mirat. Qumështi ndihmon në uljen e moderuar të tensionit të gjakut dhe të rrezikut për goditje në tru, ndërsa djathi është një ushqim i fermentuar që i bën mirë mikrobiomës. Vezët, mishi i shpendëve dhe gjalpi kanë një efekt neutral. Mishi i kuq i papërpunuar është i pranueshëm në sasi prej një ose dy porcionesh në javë. Çdo sasi më e madhe se kjo nxit inflamacionin dhe është gjithashtu kancerogjene”.
Kaloni te një dietë kundër inflamacionit
Në vitin 1994, u publikua një studim klinik në Lion të Francës. Studiuesit testuan një dietë mesdhetare kundër inflamacionit te 600 pacientë që po rikuperoheshin pas një ataku të fundit në zemër. Atyre iu kërkua të konsumonin më shumë fruta, perime, peshk dhe drithëra, të zëvendësonin mishin e kuq me mish shpendësh dhe të përdornin një produkt të lyershëm me bazë vajin e kolzës (rapsisë), të pasur me yndyra omega-3 dhe omega-6, në vend të gjalpit dhe ajkës.
Pas pesë vjetësh, grupi që ndoqi dietën pati 70 për qind më pak ngjarje kardiovaskulare sesa grupi i kontrollit, pavarësisht ndryshimeve minimale në nivelet e kolesterolit në gjak, tensionit të gjakut ose peshës trupore.
Përse është kaq e rëndësishme ulja e inflamacionit për shëndetin e zemrës?
Konsumimi i më shumë frutave, perimeve dhe arrave, si pjesë e dietës mesdhetare, mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit dhe në mbrojtjen e shëndetit të zemrës.
“Dikur mendonim se kolesteroli në qarkullimin e gjakut i bllokonte arteriet në të njëjtën mënyrë siç bllokohet tubi i lavamanit të kuzhinës kur derdhim vaj në të, pra si një grumbullim fizik i yndyrës“, thotë ai. “Ajo që kemi mësuar është se ky është një proces molekular shumë i ndërlikuar dhe se, në të vërtetë, inflamacioni i pjesës së brendshme të murit të arteries është ai që nxit formimin e pllakave”.
Zgjedhjet e dobëta ushqimore mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë inflamacionin e lehtë, por të vazhdueshëm, i cili «e gërryen trupin nga brenda».
“Nëse pllaka në arterie nuk është e inflamuar, ka pak gjasa që të shkaktojë probleme”, shton Dr. Mozaffarian.”Pllakat më problematike janë ato që janë të inflamuara. Ato janë më të paqëndrueshme dhe rrisin rrezikun e ngjarjeve të rënda kardiovaskulare. Ushqyerja mund të ndryshojë ndjeshëm jo vetëm sasinë e pllakave që formohen, por edhe nëse ato janë të inflamuara apo të qëndrueshme dhe pa inflamacion”.
Zëvendësoni karbohidratet që treten shpejt me ushqime të vërteta
Dr. Mozaffarian i ndan ushqimet në tri kategori.
Ushqimet më mbrojtëse dhe më të rëndësishme, të cilat pothuajse të gjithë ne i konsumojmë në sasi më të vogla nga sa duhet, janë frutat, arrat, farat, perimet, fasulet, peshku, vajrat e farave, vajrat e frutave, vajrat e arrave dhe kosi. Të gjitha këto janë ushqime të përpunuara minimalisht.
Veçanërisht të dobishme janë ushqimet e pasura me omega-6: arrat, arrat e pishës, pekanet, kikirikët dhe fistikët; bishtajoret, si edamameja; farat e susamit, kungullit dhe lulediellit; si dhe vajrat e sojës, kolzës (rapsisë), misrit dhe lulediellit.
Yndyrat e pangopura me një lidhje të dyfishtë, me origjinë bimore, si ato që gjenden te vaji i ullirit dhe i avokados, si dhe te arrat, përfshirë bajamet, lajthitë, arrat makadamia, pekanet dhe shqemet, janë gjithashtu të dobishme.
Këto ushqime përmbajnë fibra, përbërje fenolike dhe substanca bioaktive që ushqejnë mikrobiomën tonë. Peshku përmban omega-3, ndërsa kosi, si ushqim i fermentuar, ndihmon mikrobiomën.
Më pas vijnë ushqimet shtazore të përpunuara minimalisht.
Ushqimet më pak të shëndetshme janë ato shumë të përpunuara, të paketuara dhe të gatshme për konsum, të cilat përmbajnë sasi të larta niseshteje, si orizi i bardhë, buka e bardhë, niseshteja e misrit dhe mielli i misrit.
“Tashmë e dimë se karbohidratet që treten shpejt, si drithërat e rafinuara, miellrat, niseshteja dhe sheqernat, janë më të rëndësishme për t’u shmangur sesa yndyrat e ngopura”, shkruan Dr. Mozaffarian. “Tretja e tyre e shpejtë e mbingarkon trupin dhe i derdh këto substanca në qarkullimin e gjakut. Më pas, mëlçia i shndërron këto molekula në yndyrë, e cila grumbullohet brenda dhe përreth organeve të barkut, duke krijuar atë që njihet si “dhjami visceral”, i cili është veçanërisht i dëmshëm”.
“Nuk dua t’i bëj njerëzit të ndihen fajtorë. Është e qartë se ndonjëherë duhet të blejmë ushqime të paketuara, por, në fund të fundit, duhet të blejmë ushqime sa më afër gjendjes së tyre natyrore”./TheTelegraph
