Kosova po i afrohet një tjetër pike kritike institucionale, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Analisti Gani Qarri vlerëson se situata kushtetuese është bërë veçanërisht e paqartë dhe se, nëse nuk arrihet një konsensus politik, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme.
Sipas Qarrisë, afati gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së Presidentit/es nga Albulena Haxhiu po i afrohet fundit. Ai thotë se “nëse deri më 4 tetor nuk gjendet pajtueshmëri ndërmjet partive politike pjesëmarrëse në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit të ri”, Kosova rrezikon të hyjë në një tjetër krizë institucionale.
Qarri e sheh zgjedhjen e një Presidenti konsensual si rrugën për shmangien e zgjedhjeve të reja. Ai thekson se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, sipas interpretimit të tij, krijon mundësi për shmangien e zgjedhjeve nëse partitë arrijnë marrëveshje.
Në të kundërtën, sipas tij, “pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së Presidentit/es së shtetit bie ndesh me Kushtetutën”.

Analisti Gani Qarri
Në prononcimin e tij, Qarri e lidh krizën institucionale edhe me zhvillimet në sistemin e drejtësisë. Ai pretendon se miratimi i ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Kundërligjshme mund të ketë prekur interesa të caktuara dhe se kjo, sipas tij, mund të ndikojë edhe në sjelljen e disa aktorëve politikë.
“Ligj që nuk parasheh të ketë më falje, as të mos shqiptohen dënime për të akuzuarit potencialë”, shprehet Qarri, duke përmendur edhe raste konkrete të proceseve gjyqësore.
Ai më pas kritikon ashpër disa prej vendimeve të drejtësisë, duke e përmendur edhe rastin e Pal Lekajt dhe dënimin për rastin e 53 milionë eurove.
Sipas Qarrisë, ndryshimet në sistemin e drejtësisë dhe forcimi i mekanizmave të konfiskimit mund të ndryshojnë mënyrën se si trajtohen rastet e korrupsionit dhe pasurisë së kundërligjshme.
Ai shkon edhe më tej, duke pretenduar se disa persona mund të kenë interes që institucionet të mos funksionojnë dhe se kjo mund t’u japë atyre më shumë kohë për t’i shtyrë proceset ligjore.
Në këtë kontekst, analisti rikthen në vëmendje edhe një deklaratë të diplomatit amerikan James Rubin nga viti 2013, të cilën e interpreton si një paralajmërim për largimin e të ashtuquajturit “krah i luftës” nga politika.
Qarri pretendon se mosndjekja e asaj këshille ka prodhuar pasoja afatgjata për Kosovën. Ai akuzon disa figura politike, veçanërisht nga PDK-ja dhe AAK-ja, se “vazhdojnë me vetëdije të bëhen pengesë” për funksionimin e institucioneve dhe se, sipas tij, interesat personale e grupore po vendosen mbi interesat e shtetit.
Ndërkohë, duke iu referuar situatës së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Qarri thotë se Kosova ndodhet përballë një momenti vendimtar. Ai argumenton se krijimi i institucioneve të qëndrueshme do të ishte i rëndësishëm edhe për çështjet juridike që lidhen me Dhomat e Specializuara.
“Është momenti vendimtar që në Kuvend të gjendet konsensusi për zgjedhjen e një figure të pranueshme për President të vendit”, deklaron Qarri.
Ai paralajmëron se, nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje, vendi mund të rikthehet në ciklin e zgjedhjeve të parakohshme, pa zgjidhur problemet që kanë prodhuar krizën.
“Kosova rrezikon sërish të përballet me ngërç institucional dhe përsëritjen serike të zgjedhjeve të reja të parakohshme”, thotë Qarri, duke shtuar se zgjedhjet e reja, sipas tij, “realisht sërish nuk pritet të sjellin zgjidhje për problemet ekzistuese”.
Në fund, Qarri ngre pikëpyetje edhe për atë se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë Presidentin edhe pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore. Sipas tij, Kushtetuta nuk e përcakton mjaftueshëm qartë një skenar të tillë.
Ai paralajmëron se një situatë e tillë mund të krijojë “një gjendje të jashtëzakonshme, të pandodhur ndonjëherë më parë”, duke e konsideruar funksionimin e institucioneve si domosdoshmëri për stabilitetin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
