Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive në arritjen e marrëveshjes me LDK-në për zgjedhjen e presidentit, ende ekzistojnë përpjekjet për ta shmangur shkuarjen në zgjedhje. Pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, Kurti tha se propozimi i dakorduar për president mbetet profesori Bekim Sejdiu.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve, ndërsa ka bërë të ditur se propozimi i LVV-së mbetet profesori Bekim Sejdiu.
Kurti i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvend, duke thënë se edhe deputetët e pakicave shprehen të keqardhur që marrëveshja me LDK-në nuk është zbatuar.
“Kemi pasur diskutime për marrëveshjen politike që kemi arritur me LDK-në për emrin e përveçëm të presidentit, për të cilin jemi dakorduar tashmë, për profesorin Bekim Sejdiu. Ata ndajnë keqardhje që marrëveshja nuk po mund të realizohet sepse gjashtë deputetë të LDK-së nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti.
Ai tregoi se në takim kanë marrë pjesë dhjetë përfaqësues, pesë prej të cilëve janë pjesë e qeverisë dhe pesë të tjerë të legjislaturës së ardhshme.
“Ishim dhjetë veta, pesë jemi në qeveri, pesë në Kuvendin e legjislaturës së ardhshme. Janë dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptian dhe nga një serb, ashkali dhe rom. I falënderova për kontributin që japin dhe do të vazhdojmë të ecim tutje bashkë duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet, tash që kemi marrëveshje”, u shpreh ai.
Kurti tha se situata politike është bërë më e vështirë, sidomos pas zhvillimeve të fundit, por sipas tij ka pasur edhe progres.
“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres”, deklaroi Kurti, duke shtuar se në këtë legjislaturë ka më shumë vota në dispozicion për zgjedhjen e presidentit krahasuar me të kaluarën.
Kurti bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për hapat e mëtejmë.
Ai foli edhe për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke treguar se diskutimi është fokusuar në gjendjen brenda kësaj partie dhe në mundësitë për të gjetur një zgjidhje.
“Nga kryetari Abdixhiku jam njoftuar mbi situatën që ekziston në subjektin e tij. Gjithashtu e njoftova edhe unë për diskutimet me GP të LVV. Tash na duhet një mbledhje e re e Kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë që të ecim përpara. Vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se më parë”, tha ai.
I pyetur për emrin konkret që po propozohet për postin e presidentit, Kurti e përsëriti se bëhet fjalë për profesorin Bekim Sejdiu.
“Jemi marrë vesh, i kemi pasur autorizimet për të negociuar. Negociatat kanë rezultuar, shyqyr, me marrëveshje, por duket se dikush e ka pasur shumë më shumë problem që kemi arritur marrëveshje, sesa kur nuk kishim marrëveshje”, theksoi Kurti.
