Lajme

Kush i kishte 5 telefonat në burgun e Durrësit? Reagon avokati i Veliajt

Pesë aparate celularë janë gjetur gjatë një kontrolli të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në sektorin B të IEVP Durrës, ku ndodhet i paraburgosur edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me disa ish-zyrtarë të tjerë.

Pas publikimit të lajmit, ka reaguar avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i cili ka mohuar çdo lidhje të klientit të tij me celularët e gjetur.

Në një reagim për mediat, Ndreca thekson se asnjë prej pesë aparateve nuk është gjetur në dhomën e Veliajt, në posedimin e tij apo mes sendeve personale.

“Asnjë prej aparateve celularë të publikuar si të gjetur nuk i përket z. Veliaj dhe asnjë prej tyre nuk është gjetur në dhomën, posedimin apo sendet e tij personale”, deklaron avokati.

Ndreca i cilëson të pavërteta çdo informacion apo insinuatë që mund të krijojë lidhje mes Veliajt dhe aparateve të sekuestruara.

Kontrolli në sektorin B është kryer nga strukturat e burgjeve, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar se kujt u përkasin celularët e gjetur dhe në çfarë rrethanash janë futur në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit.

Të Ngjashme